
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha në një konferencë për media se ndryshimet e miratuara në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë nuk shkelin “asnjë detyrim ndërkombëtar” të Kosovës.
Gruda tha se Kosova i rri besnike detyrimeve që i kishte marrë me themelimin e Speciales.
“Jemi të bindur që ligji nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë dhe jemi ballëhapur para bashkësisë ndërkombëtare për të thënë që Kosova i rri besnike detyrimeve që ka marrë për të hetuar pretendimet për trafik të organeve”, tha ai.
Gruda tha se “Gjykata Speciale nuk do të mbyllet dhe asnjë detyrim ndërkombëtar nuk do të shkëputet”.
Duke folur për ligjin, Gruda e përmendi presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Ne e mirëpresim deklaraten e Presidentes së Komisionit Evropian, zonjës von der Leyen, e cila tha që Kosova ka të drejtën e saj të ndryshojë ligjin, dhe ky ka qenë një udhërrëfyes për ne për ta draftuar dhe për ta miratuar këtë ligj”, tha ai.
Gruda, i pyetur për qëndrimin e Bashkimit Europian sot, e përmendi sërish presidenten e KE-së.
“Mund t’i garantojë BE-në që ne nuk shkelim asnjë detyrim ndërkombëtar. Rruga jonë evropiane është e padiskutushme, partneriteti ynë është i padiskutueshëm dhe lojaliteti jonë i pakushtëzuar ndaj detyrimeve ndërkombëtare është i padiskutueshëm dhe ky ligj nuk prish asnjë detyrim ndërkombëtar”, tha ai.