
Sh.Ll, i akuzuar për aksidentin e komunikacionit ku vdiq Laurent Krasniqi, ka thënë se nuk është në gjendje të deklarohet lidhur me fajësinë. Këtë deklarim e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Malart Kuçi.
Seanca gjyqësore lidhur me këtë rast ka nisur sot, nga ora 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit Bujar Ahmeti.
Në fillim të seancës, avokati i të akuzuarit, Naim Rudari, ka kërkuar shtyrjen e saj, me arsyetimin se mbrojtja ka angazhuar një ekspert tjetër për përgatitjen e një ekspertize të re të komunikacionit dhe se do të deklarohet pasi të përfundojë ajo.
Prokurori e ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke thënë se tashmë ekziston një ekspertizë e komunikacionit, e cila, sipas tij, përcakton qartë veprimet e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata e ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e seancës, duke theksuar se bëhet fjalë për seancë fillestare, në të cilën, sipas dispozitave ligjore, i akuzuari duhet të deklarohet lidhur me fajësinë ose pafajësinë.