Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shpëtohen dy alpinistë çekë mes Kosovës dhe RMV-së – Ja çfarë iu ndodhi atyre në mbi 2500 metra lartësi

Gazeta10
11 October 2026 - 23:12

Dy bjeshkatarë me shtetësi çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, në lartësi prej 2.524 metrash, pasi kishin mbetur të bllokuar nga moti i keq dhe mjegulla.

Sipas Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës, ata kishin qëndruar në një strehimore që nga dita e shtunë, por, për shkak të kushteve atmosferike dhe pamundësisë për t’u orientuar, kishin kërkuar ndihmë.

Ekipi i shpëtimit, në koordinim me Policinë e Kosovës, ka arritur te bjeshkatarët, u ka ofruar ndihmën e parë dhe i ka evakuuar deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Operacioni ka zgjatur katër orë nga pranimi i thirrjes emergjente, ndërsa më pas dy shtetasit çekë janë dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe i janë dorëzuar Policisë për procedurat e mëtejshme.

Njoftimi i plotë:

Shpëtohen dy bjeshkatarë Çekë në majën e Piribregut

Sot, më 11.10.2026, Shërbimi i Kërkim‑Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka pranuar një thirrje emergjente nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent, e cila paraprakisht kishte pranuar një thirrje ndërshtetërore nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Rajonit të Pollogut, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Dy bjeshkatarë me shtetësi Çeke, N.F. (1986) dhe K.M. (2004), kishin mbetur të ngujuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës në strehimoren në majën e Piribregut, në lartësinë 2 524 m lmd, në koordinatat 42°09′57.6″N, 21°02′56.4″E. Maja e Piribregut ndodhet në kufirin shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Bjeshkatarët kishin qëndruar në strehimore që nga dita e djeshme dhe kishin kaluar natën aty. Meqenëse kushtet atmosferike nuk ishin përmirësuar dhe orientimi ishte i pamundur, ata kishin kërkuar ndihmë për shpëtim.

Menjëherë pas pranimit të informacionit, ShKShMK ka aktivizuar një ekip shpëtuesish malorë dhe, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Shtërpcë, ka arritur te bjeshkatarët në koordinatat e lartpërmendura. Pas vlerësimit të gjendjes së tyre dhe ofrimit të ndihmës së parë, ata janë evakuuar deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë. Operacioni i shpëtimit malor ka zgjatur katër orë nga pranimi i thirrjes urgjente. Më pas, ata janë transportuar në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe i janë dorëzuar Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme.

Njoftimi në kohë nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Kosovës dhe koordinimi i shpejtë ndërmjet institucioneve dhe Shërbimit të Kërkim‑Shpëtimit Malor të Kosovës kanë mundësuar përfundimin me sukses të këtij operacioni në kohë rekorde. Formula e artë e shpëtimit të jetëve mbështetet në njoftimin në kohë dhe delegimin e detyrave te ekipet e specializuara dhe kompetente!

Apelojmë te të gjithë bjeshkatarët që, përpara nisjes, të kontrollojnë parashikimin e motit për zonën malore, të vlerësojnë kushtet dhe sigurinë përgjatë itinerarit të planifikuar dhe t’i përshtatin planet me kushtet në terren.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.