
Sulmet me dronë të Ukrainës ndaj tri qendrave të të dhënave të kompanisë ruse, Yandex, shkaktuan ndërprerje të mëdha të shërbimeve, duke ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve në Rusi dhe në vende të tjera ku operon kjo kompani e madhe teknologjike.
Sipas raportimeve, riparimi i dëmeve pritet të zgjasë me muaj.
Sulmet prekën edhe kompani të mëdha që përdorin shërbimet e Yandex-it për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave në internet, përfshirë zinxhirët e shitjes së produkteve ushqimore, Magnit dhe Lenta, si dhe rrjetin e dyqaneve të veshjeve, Lamoda.
Probleme hasën edhe përdoruesit e platformës së takimeve, Twinby.
Të tjerë nuk mund të udhëtonin me taksitë e aplikacionit Yandex Go ose të kishin qasje në paratë e tyre përmes Yandex Pay.
Të dyja këto shërbime përdoren çdo ditë nga dhjetëra miliona rusë.
Probleme kishte edhe shërbimi i postës elektronike i Yandex-it.
Megjithëse disa nga shërbimet kryesore u rikthyen në funksion deri më 12 tetor, sulmet nxorën në pah një dobësi të sigurisë, të cilën kompanitë e teknologjisë tani po përpiqen ta adresojnë me urgjencë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve më 13 tetor se Yandex-i “po përballet me vështirësi dhe, natyrisht, kjo çështje po diskutohet nga Qeveria”.
Ai shtoi se kompania po ndërmerr “hapa urgjentë për të trajtuar pasojat e sulmit”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet ndaj tri qendrave të Yandex-it ishin përgjigje ndaj sulmeve ruse mbi qendrat ukrainase, të cilat kishin shkaktuar ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile në Ukrainë.
Yandex-i shpesh përshkruhet si “Google-i i Rusisë”, ndonëse në vitin 2024 e shiti motorin e tij të kërkimit në internet, në kuadër të një ndarjeje të aseteve.
Kompania ofron edhe shërbime të tjera, si transport me taksi dhe shpërndarje të ushqimeve, të cilat Google nuk i ofron.
Sipas një raporti të kompanisë për vitin 2025, Yandex-i ka pesë qendra të të dhënave në Rusi.
Tri qendrat kryesore janë pikërisht ato që u goditën nga sulmet: në Sasovo, Kaluga dhe Vladimir.
Përveç tyre, kompania ka edhe dy qendra më të vogla në Mitishçi dhe Ivantejevka – të dyja në rajonin e Moskës.
Në vitin 2025, Yandex-i hapi edhe një qendër të dytë të të dhënave në Vladimir, të cilën disa media e llogarisin veçmas, duke e çuar numrin e përgjithshëm të qendrave në Rusi në gjashtë.
Serhiy Petrenko, ish-drejtues i Yandex-it në Ukrainë, i tha kanalit Current Time të Radios Evropa e Lirë se “rreth 80 për qind e qendrave të të dhënave në Rusi ndodhen në Moskë dhe në rajonin përreth saj”.
“Prandaj, sulmet atje sigurisht që do të vazhdojnë dhe, natyrisht, do të shkaktojnë dëme gjithnjë e më të mëdha”, tha Petrenko.
Ai shtoi se Yandex-i ka humbur “gjysmën ose më shumë të kapacitetit të tij” dhe se “nuk mund të vazhdojë të funksionojë me të njëjtat kapacitete dhe shërbime si më parë”.
Ekspertë të tjerë theksuan se qendrat e të dhënave në Rusi janë më të përqendruara gjeografikisht sesa ato në Ukrainë – gjë që i bën më të cenueshme ndaj sulmeve.
Nikolay Mitrokhin, studiues në Qendrën për Studime të Evropës Lindore në Universitetin e Bremenit, shkroi në rrjetet sociale se 95 për qind e qendrave të të dhënave në Rusi ndodhen brenda rrezes së veprimit të dronëve ukrainas.
Sipas tij, Kievi i ka “të gjitha kapacitetet për ta kthyer Rusinë në epokën analoge” – pra në një kohë kur shërbimet nuk mbështeteshin në teknologjinë digjitale.