Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Komandanti i FSK-së në SHBA, takime në Pentagon dhe me Gardën Kombëtare të Ajovës

Gazeta10
16 October 2026 - 9:12

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po zhvillon takime të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni i FSK-së, i udhëhequr nga gjenerallejtënant Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, i mbajtur në Uashington D.C. Ky aktivitet, me mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 shtete, ofron mundësi për njohjen me teknologjitë më të fundit ushtarake dhe zhvillimet në industrinë e mbrojtjes.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja në këtë panair synon të kontribuojë në procesin e modernizimit të FSK-së dhe në ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale.

Bëhet e ditur se në kuadër të vizitës, gjenerallejtënant Jashari zhvilloi një takim në Pentagon me zëvendësndihmës sekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë takimit u diskutuan çështje të rëndësishme të sigurisë, bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit, gjatë këtij takimi u riafirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin e saj profesional dhe gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë globale.

Një tjetër takim i rëndësishëm i komandantit të FSK-së ishte ai me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të udhëhequr nga gjeneral brigade Charles H. Lampe.

Gjatë këtij takimi u diskutuan rezultatet e deritanishme të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe plani i bashkëpunimit dypalësh për pesë vitet e ardhshme.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.