Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

52 të dënuar në Dubravë ndjekin programe të risocializimit

Gazeta10
16 October 2026 - 9:59

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se 52 të dënuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë janë duke ndjekur programe të risocializimit, të cilat synojnë zhvillimin e aftësive personale e sociale dhe përgatitjen e tyre për riintegrim në shoqëri pas lirimit.

Sipas njoftimit në Facebook, në mesin e programeve që po zbatohen është “Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili zgjat gjashtë muaj dhe bazohet në modelin Duluth.

“Ky program synon ndryshimin e modeleve të mendimit dhe sjelljes, zhvillimin e aftësive njohëse dhe marrjen e përgjegjësisë për sjelljet e dhunshme, duke promovuar marrëdhënie të shëndosha dhe një shoqëri pa dhunë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, të dënuarit po ndjekin programin “Menaxhimi i Zemërimit”, përmes të cilit mësojnë të kontrollojnë emocionet dhe impulset, si dhe të përballojnë konfliktet në mënyrë konstruktive.

Një tjetër program që po zbatohet është “Vendimmarrja Sociale”, i cili, siç thuhet, fokusohet në zhvillimin e mendimit kritik, reflektimit moral dhe aftësive për marrjen e vendimeve të përgjegjshme.

“Zbatimi i këtyre programeve realizohet nga stafi profesional për programe të risocializimit, përmes një qasjeje të strukturuar që mbështet ndryshimin pozitiv, përgjegjësinë personale dhe zhvillimin e shkathtësive të nevojshme për një jetë të përgjegjshme pas lirimit. Shërbimi Korrektues i Kosovës vazhdon të investojë në rehabilitimin dhe risocializimin e të dënuarve, duke synuar jo vetëm përmbushjen e qëllimit të dënimit, por edhe krijimin e mundësive për riintegrim të qëndrueshëm në shoqëri”, u tha në njoftim

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.