
Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare bëri të ditur se u hap afati i aplikimit për përfitimin nga Programi për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë elektrike për vitin 2026–2027.
Afati i aplikimit ka nisur sot (19 tetor 2026) dhe do të jetë i hapur deri më 31 mars 2027.
Mbështetja do të ofrohet përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike për ekonomitë familjare që i plotësojnë kriteret e përcaktuara në program.
“Të drejtë aplikimi kanë ekonomitë familjare që i plotësojnë kushtet dhe kriteret e Programit. Aplikimi bëhet nga një anëtar i ekonomisë familjare dhe lidhet vetëm me një njehsor elektrik”, thuhet në njoftim.
Aplikimi bëhet përmes platformës eKosova, në kategorinë e shërbimeve “Familja”, në këtë [link](https://ekosova.rks-gov.net/Service/1).
Ndërkaq, familjet që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike mund të marrin ndihmë në Qendrat për Punë Sociale.
Ministria njoftoi se subvencionimi fillon nga muaji kur aprovohet aplikimi dhe nuk zbatohet në mënyrë retroaktive. Për këtë arsye, qytetarëve u është rekomanduar që të aplikojnë sa më herët, në mënyrë që të përfitojnë gjatë gjithë periudhës së programit.
“Të dhënat e deklaruara gjatë aplikimit verifikohen nga institucionet përkatëse. Deklarimi i pasaktë ose i paplotë mund të rezultojë në refuzimin e aplikimit ose kthimin e mbështetjes së përfituar”, thuhet më tej në njoftim.
Për më shumë informata rreth kritereve dhe kushteve për përfitim, qytetarët mund të vizitojnë [faqen zyrtare të ministrisë](https://mpfvlc.rks-gov.net/).Për sqarime shtesë, ministria ka vënë në dispozicion adresën elektronike subvencion.energjia@rks-gov.net dhe numrin e telefonit 038-200 27 277.