
Një grup profesorësh në Shqipëri kanë dalë në mbështetje të studentëve protestues, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare.
Aleksandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë, ka deklaruar se studentët e kanë refuzuar dialogun e propozuar nga kryeministri dhe se, sipas tij, zgjidhja e vetme në situatën aktuale është largimi i Ramës nga detyra.
“Këtu edhe kryeministri nuk mund të komunikojë me këta njerëz. I vetmi komunikim është dorëheqja e tij. Ne nuk pranojmë dialog, ne jemi me studentët. Studentët kanë thënë nuk ka dialog, ka vetëm zgjidhje. Zgjidhja është dorëheqja e kryeministrit”, ka deklaruar Kovaçi.
Ai ka komentuar edhe rrëzimin e karrigeve që Rama kishte vendosur para Kryeministrisë me mbishkrimin “Dialog”, duke thënë se studentët e kanë shprehur tashmë qëndrimin e tyre.
“Karriget i kanë thyer studentët, sepse studentët janë komunikimi, nuk janë pedagogët. Pedagogët nuk kanë asgjë në dorë. Pedagogët janë në mbështetje të studentëve. Përdorimi i dhunës e ka zhdukur dialogun. Sot koha nuk është për dialog, por është koha për dorëheqje”, është shprehur ai.
Pesë kërkesat e profesorëve
Përmes një deklarate publike, një grup pedagogësh kanë paraqitur pesë kërkesa në mbështetje të studentëve dhe protestave që po zhvillohen në Shqipëri.
Kërkesa kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie kujdestare, e cila, sipas tyre, do të garantonte stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Pedagogët i kanë bërë thirrje Policisë dhe institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e rendit që të ndalojnë çdo akt dhune ndaj studentëve, si dhe të refuzojnë zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
Ata u kanë bërë thirrje edhe përfaqësive diplomatike në Tiranë që të reagojnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Një tjetër kërkesë u drejtohet protestuesve, të cilëve pedagogët u bëjnë thirrje të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private, për të mos i dhënë qeverisë arsye për të ushtruar dhunë apo për të delegjitimuar protestën.
Në pikën e pestë, profesorëve u kanë bërë thirrje qytetarëve të Tiranës që t’u bashkohen studentëve, duke iu referuar edhe mobilizimit qytetar të vitit 1991.
“Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë”, thuhet në deklaratën e tyre.