
Dhjetë persona janë arrestuar dhe mbi 20 automjete janë konfiskuar gjatë operacionit kundër kontrabandës me mallra në veri të Kosovës. Vlera e mallrave të dyshuara për kontrabandë vlerësohet të jetë mbi 200 mijë euro.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje të reja për aksionin e zhvilluar të enjten në 22 lokacione në katër komunat veriore.
Ai ka bërë të ditur se hetimet kanë nisur para gjashtë muajsh, bazuar në informacionet e mbledhura nga Policia e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
Sipas tij, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
“Në fakt ky hetim ka nisur para gjashtë muajve, pas informatave të cilat i ka mbledhur Policia e Kosovës bashkë me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Mandej kemi shkuar te prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, kemi diskutuar me të, i njëjti ka urdhëruar marrjen e veprimeve për zhvillim të hetimeve dhe ne kemi filluar punën në prill të këtij viti. Pas gjashtë muajve, dita e sotme është rezultati përfundimtar, ku ne kemi bërë bastisjen në 22 lokacione lidhur me rastin kontrabandë me mallra. Në këtë operacion të sotëm janë përfshirë Administrata Tatimore, Dogana, ne si Polici dhe të gjitha këto veprime janë bërë nën menaxhimin dhe kontrollimin e Prokurorit të Shtetit”, tha a”.KP