
Për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me shkresa të lëndës, ka dështuar seanca fillestare të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Miljojko Gjorgjeviq akuzohet se në cilësinë e komandantit të Repartit Policor në Komunën e Zveçanit, ka kryer krime lufte në Zveçan më 1998-1999.
Prokurori special Ilir Morina tha se nga zyra e prokurores Florije Shamolli e cila është prokurore e rastit, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që të dorëzohen shkresat e lëndës, për çka edhe kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti ëshë njoftuar me këtë situatë sepse nuk është lajmëruar avokati, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kurse, avokati i Gjorgjeviqit, Predrag Miljkoviq tha se adresa e zyrës së tij është në ueb-faqe të Odës së Avokatëve, andaj sipas tij, shkresat mund t’i dorëzohen përmes Postës.
Ai tha se ekziston edhe mundësia e dorëzimit të shkresave përmes e-mailit, sikurse i pranon vendimet e Gjykatës, andaj ashtu mund t’i pranojë edhe provat.