
Kryetari i Aleancës , Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova po përballet me krizë të rëndë energjetike, duke pretenduar se vetëm gjatë muajit shtator importi i energjisë elektrike ka kushtuar rreth 27 milionë euro.
Ai ka paralajmëruar se vendi mund të detyrohet të importojë energji në vlerë prej së paku dy milionë eurosh në ditë, ndërsa ka akuzuar Qeverinë për dështim në riparimin e bojlerit të njërit prej blloqeve të prodhimit.
Në një konferencë për media, Gjini ka paralajmëruar se Aleanca javë e ardhshme do të kërkojë interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me këtë çështje.
Ai ka thënë se kostot e importit të energjisë elektrike rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët, qoftë përmes faturave, qoftë përmes shpenzimeve nga buxheti i shtetit.
“Sot e kemi thirrur në konferencë për shtyp për me e kthy vëmendjen e opinionit të Kosovës te gjendja në të cilën sot është Kosova. Që ndërlidhet me ekonominë, që ndërlidhet pothuajse me gjithçka tjetër, e që ka të bëjë me energjinë elektrike, me energjinë në Kosovë. Më duhet me ju thënë që Kosova, thashë, është në kolaps. Edhe një herë: pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. E dimë që ka shumë kamuflime, e dimë që shumë çka sikur në raste të tjera, unë e përdor një fjalë “pështjellët” në Kosovë, ama duhet me e potencu pastër. Që do të thotë që paguhet për energji elektrike, del prej xhepave të qytetarëve të Kosovës. Qoftë përmes faturave, qoftë përmes pagesave skandaloze prej buxhetit të Kosovës, për shkak se edhe buxheti i Kosovës, vjen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës përmes taksave, të cilat ju merr shteti”, tha Gjini.
Ai ka dhënë edhe shifra për importin dhe prodhimin e energjisë, duke thënë se në momentin kur po fliste, prodhimi ishte rreth 372 megavat, ndërsa kërkesa e kalonte 800 megavatët.
“Duhet me ju thënë që importi i energjisë elektrike deri tash është diku 27 milion euro. Këtë veç shtatorit jemi duke folur, vetëm shtatorin. Duhet me ju thënë që e kemi prodhimin e energjisë elektrike diku në 372 megavat tash e kërkesën në këto momente e kemi mbi 800 megavat. Do të thotë momentet kur nuk pritet me pas shumë kërkesë. Është kërkesë e ulët. Mundet me shku shumë më lart. Që do të thotë po mbërrijmë minimum me importu energji elektrike 2 milion euro në ditë”, tha ai.
Gjini ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar, sipas tij, me qëllim në tenderin për riparimin e bojlerit, duke pretenduar se procedura është mbyllur pa fitues dhe se kjo ka bërë që riparimi të mos përfundojë.