Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Protestuesi i plagosur sot në sy është tifoz i zjarrtë i kombëtares shqiptare, po operohet në spitalin e Traumës në Tiranë

Gazeta10
24 October 2026 - 22:33

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari i njohur si një prej tifozëve më të zjarrtë të Kombëtares shqiptare, është një nga të plagosurit rëndë gjatë protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve në Tiranë.

I riu, pjesëtar i grupimit të njohur “Tifozat Kuq e Zi”, ka pësuar një dëmtim të rëndë në zonën e syrit dhe aktualisht ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës.

Sipas raportimeve, Vishkulli i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet e rëndë. Pamjet e publikuara nga protesta treguan 28-vjeçarin me fytyrën e mbuluar nga gjaku, pas plagosjes gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.

Dyshohet se u godit nga një plumb gome

Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është goditur nga një plumb gome i përdorur gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestuesve. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi mjetin që ka shkaktuar plagosjen dhe rrethanat e sakta të ngjarjes.

Nga tribunat ku mbështet Kombëtaren, në Spitalin e Traumës

Erjon Vishkulli është një emër i njohur për tifozërinë shqiptare. Prej vitesh ai është pjesë aktive e grupimit “Tifozat Kuq e Zi” dhe njihet si ‘kryetifoz’ i Kombëtares, duke qenë i pranishëm në stadiume për të mbështetur kuqezinjtë.  Por këtë herë, 28-vjeçari nuk është në tribunat e stadiumit për të mbështetur Shqipërinë, por në një shtrat spitali, pas plagosjes gjatë protestës në kryeqytet.

Ngjarja është regjistruar në ditën e 12-të të protestës kombëtare të studentëve dhe të rinjve, e cila u shoqërua me përplasje të forta me policinë. Gjatë tubimit u raportua përdorimi i gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës.

Plagosja e Vishkullit është një ndër rastet më të rënda të raportuara gjatë protestës, ndërsa mbeten ende pa përgjigje pyetjet mbi rrethanat e dëmtimit dhe pasojat që mund të ketë për shikimin e tij.

Pritet një informacion zyrtar nga autoritetet shëndetësore për gjendjen e 28-vjeçarit dhe rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale./panorama/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.