
Motra e Erjonit, të riut që u plagos me plumb gome gjatë protestës në Shqipëri, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kërkuar që rasti i vëllait të saj të mos përdoret për qëllime politike.
Ajo ka falënderuar të gjithë personat që janë interesuar për shëndetin e vëllait të saj, si dhe ata që morën iniciativën për t’i mundësuar një ndërhyrje më të specializuar në Itali.
Në reagimin e saj, ajo u ka bërë thirrje mediave që të mos publikojnë lajme të pabazuara dhe e ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet ta kthejë rastin në çështje politike.
“Mos ndani lajme pa bazë për shikime apo mashtrime e propaganda të Ramës”, ka shkruar ajo.
Motra e Erjonit ka theksuar se familja po kërkon vetëm shëndetin dhe shërimin e tij, duke kërkuar që rasti të mos shfrytëzohet për përfitime politike.
“E kanë cuar familja, miqtë dhe mbështetësit e familjes tonë dhe JO SHTETI”, ka shkruar ajo, duke kundërshtuar pretendimet për përfshirjen e shtetit në kurimin e të riut.
Në fund, ajo ka shprehur dëshirën që Erjoni të kthehet sa më shpejt në shtëpi, i shëndetshëm, që familja të gëzojë sërish.
