
Kreu i PD-së në Bujanoc, Nagip Arifi, e ka vlerësuar si sukses bashkimin e subjekteve politike shqiptare, pasi Koalicioni Shqiptar arriti të sigurojë dy mandate në Kuvendin e Serbisë.
Në intervistë në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Arifi tha se koalicioni ka qenë afër sigurimit të mandatit të tretë, por dalja e lartë e votuesve në nivel republikan ka ndikuar në dobësimin e elektoratit të pakicave.
“Ka qenë një sukses i bashkimit të të gjitha subjekteve politike shqiptare. Kemi qenë shumë afër edhe mandatit të tretë, por për shkak të daljes së madhe në nivel republikan, diku afro 70 për qind të popullatës, automatikisht është dobësuar elektorati i pakicave. Megjithatë, prapë jemi të kënaqur”, u shpreh Arifi.
Ai rikujtoi edhe zgjedhjet e vitit 2020, kur subjektet politike shqiptare kishin arritur të siguronin tri ulëse në Kuvendin e Serbisë, në rrethana të ndryshme politike.
Sipas Arifit, në atë kohë, një pjesë e madhe e opozitës e kishte bojkotuar procesin zgjedhor, ndërsa pjesëmarrja e pakicave kishte ndikuar që kandidatët shqiptarë të siguronin tri mandate me më pak votë.