
Policia e Shqipërisë njoftoi se janë arrestuar në Greqi dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 maj 2026, në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri 66-vjeçari Rexhep Ismaili.
Një tjetër fazë e operacionit të koduar “The Wanted” është finalizuar me sukses, si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve homologe greke. Gjatë operacionit janë arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, dy shtetas të dyshuar për përfshirje në ngjarjen kriminale.
Në pranga kanë rënë Lulëzim Tabaku, 37 vjeç, i dyshuar si autor i vrasjes së 66-vjeçarit, si dhe Idriz Çelo, 40 vjeç, i dyshuar për përfshirje në konfliktin që parapriu krimin.
Sipas Policisë, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 37-vjeçarin, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosja”, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa 40-vjeçari kërkohej për veprat penale “Moskallëzimi i krimit”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”. Sipas autoriteteve, ai ishte ndaluar në ishullin e Korfuzit, ku dyshohet se përdorte identitet të rremë për të qëndruar në Greqi.
Nga hetimet paraprake dyshohet se më 7 maj 2026, 37-vjeçari ka vrarë me armë zjarri, pistoletë, 66-vjeçarin R. I., në ambientet e lokalit në pronësi të këtij të fundit, në fshatin Gjashtë të Sarandës.
Ngjarja dyshohet se erdhi pas një konflikti me sende të forta mes disa personave, ku ishte i përfshirë edhe 40-vjeçari i arrestuar në Korfuz.
Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.