
Numërimi i votave në Izrael po ndryshon rezultatet paraprake të zgjedhjeve. Me 72,4% të kutive të votimit të numëruara, blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka zbritur në 54 mandate, ndërsa partitë arabe janë ngjitur në 18 mandate.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael, të cituara nga gazeta Times of Israel, opozita e drejtuar nga Gadi Eisenkot ka siguruar deri tani 48 mandate.
Së bashku, opozita dhe partitë arabe arrijnë në 66 mandate, më shumë se 61 mandatet e nevojshme për të siguruar shumicën në Knesset, parlamentin izraelit me 120 vende.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se opozita e ka të sigurt formimin e qeverisë së re. Gjithçka do të varet nga mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes opozitës dhe partive arabe, pasi një pjesë e opozitës ka kundërshtuar bashkëpunimin me to.
Ndërkohë, tri parti nuk kanë arritur ende të kalojnë pragun zgjedhor prej 3,25%. Partia e Rezervistëve ka marrë 2,7% të votave, Populli i Izraelit 1,7%, ndërsa Publiku Ultraortodoks 0,2%.
Sipas të dhënave të publikuara deri mw tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Izrael, asnjëri prej dy blloqeve kryesore nuk e ka shumicën prej 61 mandatesh, e nevojshme për të formuar qeverinë në parlamentin me 120 vende.
Rezultatet mund të ndryshojnë ndërsa vijon numërimi i votave. Votat e hedhura në zarfe të dyfishta, përfshirë ato të ushtarakëve, do të numërohen në një fazë të mëvonshme.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime arriti në 77,7%, niveli më i lartë në më shumë se dy dekada dhe rreth shtatë pikë përqindjeje më i lartë se në zgjedhjet e vitit 2022. Këto janë zgjedhjet e para që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe luftërat që pasuan në Gaza, Liban dhe me Iranin.