
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha është arrestuar nën dyshimin për dhunë në familje.
Burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se Berisha ka kërcënuar bashkëshorten se do t’i ndodhë e njëjta sikurse Arlinda Zekajt.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha, u ndalua sot për 48 orë pasi dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se bashkëshortja e tij kishte raportuar se Berisha kishte ushtruar dhunë psikike ndaj saj në vazhdimësi. Ajo kishte deklaruar se qe disa muaj nuk jeton me të.
“Prishtinë 22-30.10.2026-NN. Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Arlinda Zekaj u vra me sëpatë më 25 tetor nga i dyshuari ish-kunati i saj Albert Sylaj, pasi kishte raportuar ish-bashkëshortin Jeton Sylaj për dhunë në familje.