
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka dhënë detaje lidhur me planifikimin buxhetor për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe projektin e Unazës së Prishtinës, pas mbledhjes së Qeverisë, ku u votua Projektligji për Buxhetin e vitit 2027.
Duke folur para mediave, Murati ka bërë të ditur se për projektet që lidhen me Lojërat Mesdhetare është krijuar një kod i përbashkët në kuadër të investimeve kapitale, me qëllim që investimet të jenë në përputhje me masterplanin dhe librin e konkurrimit.
Ai ka shpjeguar se projektet kryesisht janë identifikuar, por se për përcaktimin e saktë të kostos së tyre nevojiten studime më të detajuara.
Sipas tij, ndarja e mjeteve për projektet specifike do të bëhet gjatë procesit, përmes vendimeve të Qeverisë.
“Sa i përket Lojërave Mesdhetare 2030 ka projekte të ndryshme, megjithatë, ajo çfarë kemi bërë, në mënyrë që të jemi në linjë edhe me masterplanin, por edhe me librin e konkurrimit, jemi siguruar që të ketë një kod të përbashkët dhe pastaj gjatë rrugës teksa identifikohen projektet specifike dhe shumat e tyre të investimit, sepse projektet kryesisht janë të identifikuara, por që nevojiten studime të detajuara për të përcaktuar vlerën e investimit, atëherë bëhet edhe ndarja me vendim të Qeverisë, pra krijohet kodi i veçantë, nga ky kodi i përbashkët i Lojërave Mesdhetare. Pra, është një kod për Lojërat Mesdhetare tek investimet kapitale”, ka deklaruar Murati.
Derisa, sa i përket projektit të Unazës së Prishtinës, ministri Murati ka thënë se fillimisht duhet të përmbyllen të gjitha studimet e nevojshme, në mënyrë që të përcaktohet kostoja e përgjithshme e realizimit të tij.Ai ka theksuar se për detaje më të hollësishme rreth planeve, projektit dhe kostos së Unazës së Prishtinës duhet të prononcohet Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, e cila është përgjegjëse për këtë fushë.