
Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën të publikuar sot, vlerëson se Kosova dhe Serbia kanë vazhduar pjesëmarrjen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, megjithatë potencojnë se kjo nuk është përkthyer në zbatim të mjaftueshëm të obligimeve të marra. Përveç çështjes së personave të zhdukur, as Kosova dhe as Serbia nuk ka shënuar përparim të dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023.
Në raportin për Kosovën për vitin 2026, Komisioni Evropian thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar gjatë periudhës raportuese, pavarësisht ndikimit të madh të zhvillimeve të brendshme politike. Takimet janë mbajtur rregullisht në nivel të kryenegociatorëve dhe në nivel teknik, në formate dypalëshe dhe trepalëshe.
Megjithatë, zbatimi i obligimeve të mbetura nga dialogu ka vazhduar të jetë i kufizuar, ndërsa veprimet e njëanshme dhe deklaratat që nuk kontribuojnë në normalizim kanë ndikuar negativisht në proces.
Komisioni u kërkon të dyja palëve që të zbatojnë të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe aneksi i zbatimit të saj, të njohur si Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, si dhe nga marrëveshjet e mëparshme të dialogut, pa vonesa dhe pa parakushte.
Kjo përfshin edhe aranzhimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Sipas raportit, Kosova pritet të nisë procesin që çon drejt themelimit të tyre, ndërsa Serbia duhet të fillojë paralelisht njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.
“Asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të mjaftueshëm”, thuhet në raport, ku theksohet se Marrëveshja e Ohrit është e vlefshme dhe ligjërisht e obligueshme për të dyja palët. Çfarëdo formaliteti që lidhet me miratimin apo formalizimin e saj nuk duhet të pengojë zbatimin.
Sipas Komisionit Evropian, situata në veri të Kosovës gjatë periudhës raportuese ka mbetur e qetë, por e brishtë. Ndërkohë, veprimet dhe deklaratat që nuk kontribuojnë në normalizim janë shtuar.
Raporti thotë se Kosova ka ndërmarrë vazhdimisht veprime në kundërshtim me obligimet e saj nga dialogu ose që kanë cenuar procesin e normalizimit. Në mesin e tyre përmenden veprimet policore dhe administrative ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës, si dhe refuzimi i dorëheqjeve të tërhequra nga gjyqtarët dhe prokurorët serbë, duke penguar riintegrimin e tyre.
BE-ja ka shprehur shqetësim të thellë për këto veprime, përfshirë mungesën e përsëritur të koordinimit nga ana e Kosovës dhe ndikimin negativ në komunitetet lokale dhe qasjen e tyre në shërbimet themelore publike e sociale.
Në anën tjetër, raporti thekson se edhe Serbia ka vepruar vazhdimisht në kundërshtim me obligimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe Interpol.
Komisioni vëren se këto veprime, së bashku me deklaratat nxitëse të zyrtarëve serbë, vazhdojnë ta dëmtojnë normalizimin. Po ashtu, Serbia nuk ka ndërmarrë ndonjë hap të rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator 2023.
Një nga çështjet ku raporti evidenton pengesa të mëdha është riintegrimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës serb në institucionet e Kosovës.
Komisioni rikujton se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 kishte shkelur obligimet e Serbisë nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe kishte zhbërë arritje të rëndësishme të Marrëveshjes për Drejtësinë të vitit 2015.
Më 15 korrik 2026, gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serbë të Kosovës tërhoqën dorëheqjet e paraqitura rreth tre vjet e gjysmë më parë. BE-ja e cilëson këtë si një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të tyre në sistemin e drejtësisë.
Megjithatë, vendimet e mëvonshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ushtruesit të detyrës së presidentit për pranimin e dorëheqjeve të tërhequra e penguan vazhdimin e procesit. Sipas Komisionit, këto vendime janë në kundërshtim me objektivat dhe zotimet e Marrëveshjes për Drejtësinë të vitit 2015. Raporti thekson se Kosova nuk e ka mundësuar riintegrimin e personelit gjyqësor serb, ndërsa edhe një konkurs për rekrutimin e prokurorëve serbë, me kuotë të veçantë, nuk ka pasur sukses.
Komisioni Evropian konstaton se nuk ka pasur përparim të mëtejshëm drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe marrëveshjen për parimet e përgjithshme të vitit 2015.
Sipas raportit, Kosova pritet ta nisë procesin e themelimit të Asociacionit, në përputhje me obligimet e saj nga dialogu, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit. Të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe pa vonesa të mëtejshme.
Raporti thekson se statusi i strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohet plotësisht në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe ligjet e Kosovës, e jo përmes masave të pakoordinuara. BE-ja kërkon konsultime të strukturuara me përfaqësuesit e komunitetit serb, në mënyrë që ata të përfshihen në mënyrë domethënëse në këtë proces.
Sa i përket urës në Mitrovicë, raporti thotë se punimet, përfshirë vlerësimet shtesë dhe konsultimet, kanë përfunduar. Qëndrimi i BE-së mbetet se ura duhet të hapet.
Komisioni vlerëson se kushtet teknike janë përmbushur, por kërkon përmirësimin e koordinimit dhe konsultimeve ndërmjet komunave përkatëse dhe institucioneve në nivel qendror, në mënyrë që ura t’u shërbejë të gjitha komuniteteve. Raporti gjithashtu thekson se BE-ja ka marrë parasysh ndryshimin e qëndrimit të KFOR-it.
Në sektorin e energjisë, zbatimi i marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 dhe i Udhërrëfyesit për Energjinë të vitit 2022 ka vazhduar. Megjithatë, operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, ende nuk i ka përcaktuar kapacitetet neto të transmetimit në interkoneksionin me Kosovën. Kjo pengon ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare për pjesëmarrësit në treg, ndikon në sigurinë e furnizimit dhe konkurrencën, si dhe rrit çmimet e importit të energjisë elektrike.
Raporti konstaton se zbatimi i disa marrëveshjeve teknike të dialogut të viteve 2011-2012 mbetet i papërfunduar. Këtu përfshihen marrëveshjet për kadastrën dhe njohjen e diplomave universitare, të cilat, sipas Komisionit, vazhdojnë të mos zbatohen nga Serbia.
Gjithashtu, Serbia ende nuk ka adresuar çështjen e strukturave të zhvendosura administrative doganore, që operojnë brenda territorit të saj me emërtimin e Kosovës.
Sa i përket menaxhimit të integruar të kufirit, gjashtë pikëkalimet e përhershme të përbashkëta të parapara në marrëveshje nuk janë funksionalizuar të gjitha. Deri më tani janë ndërtuar vetëm dy: në Merdarë dhe Mutivodë.
Serbia ende nuk ka ndërtuar pikëkalimet që duhet të vendosen në anën e saj, në Jarinjë, Konçul dhe Depcë, ndërsa duhet të angazhohet edhe për ndërtimin e pikëkalimit të tretë në anën e Kosovës, në veri, në Tabavije/Bërnjak.
Komisioni kërkon gjithashtu nga Serbia mbylljen e rrugëve ilegale dhe shmangieve kufitare, si dhe rifillimin e takimeve të përbashkëta për menaxhimin e integruar të kufirit në të gjitha nivelet.
Megjithatë, raporti evidenton një zhvillim pozitiv në funksionalizimin e plotë të skanerit për mallrat në Merdarë gjatë verës së vitit 2026, gjë që ka lehtësuar qarkullimin e mallrave serbe dhe ka zvogëluar ndjeshëm kohën e pritjes. Por, kufizimet ndaj mallrave serbe përmes pikëkalimeve të tjera vazhdojnë. Kosova, sipas raportit, duhet të sigurojë lëvizjen e lirë të mallrave nëpër të gjitha pikëkalimet e përcaktuara.
Komisioni Evropian e mirëpret zbatimin përgjithësisht të kënaqshëm të marrëveshjes së 14 marsit 2026 për zbatimin e Ligjit për të huajt. Sipas raportit, kjo marrëveshje ka hapur mundësi për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile në sistemin e Kosovës, duke përdorur dokumentet e lëshuara nga Serbia.
Megjithatë, Kosova inkurajohet të gjejë një zgjidhje afatgjatë që do të mundësonte një proces efektiv të regjistrimit dhe pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë personat që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë.
Në fushën e telekomunikacionit, nuk është shënuar përparim në zgjidhjen e çështjeve të mbetura. Të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet, të zgjidhin ndërhyrjet ndërkufitare të frekuencave mes operatorëve mobilë të Kosovës dhe Serbisë dhe të sigurojnë shërbime postare cilësore për të gjitha komunitetet.
Një nga zhvillimet pozitive të evidentuara nga Komisioni Evropian është mbajtja e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur, në janar të vitit 2026. Ky takim kishte për qëllim avancimin e zbatimit të Deklaratës Politike për Personat e Zhdukur, të miratuar në maj të vitit 2023.
Në prill është mbajtur edhe një takim teknik për qasjen në arkiva. Komisioni e konsideron këtë si përparim në zbatimin e deklaratës, por thekson se nevojitet bashkëpunim i mëtejshëm dhe se palët duhet të shmangin politizimin e kësaj çështjeje humanitare.
Sa i përket ndihmës së ndërsjellë juridike, është shënuar përparim i kufizuar pas vendimit të Qeverisë së Serbisë për të ndërmarrë hapa drejt rifillimit të bashkëpunimit, pas një ndërprerjeje të gjatë. Gjykatat serbe kanë rifilluar përdorimin e kanaleve të ndihmës së ndërsjellë juridike, por vetëm në një numër shumë të kufizuar rastesh.
Ndërkohë, të dyja palët vazhdojnë të mos i zbatojnë plotësisht marrëveshjet për vizitat zyrtare. Shumica e vizitave të paralajmëruara janë refuzuar nga njëra apo pala tjetër, ndonëse raporti përmend si zhvillime pozitive dy vizitat e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe vizitën e ministrit në detyrë të Kulturës dhe Turizmit të Kosovës në Luginën e Preshevës, të cilat janë zhvilluar pa incidente.
Në përfundim, Komisioni Evropian vlerëson se Kosova dhe Serbia kanë vazhduar të marrin pjesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por angazhimi i tyre nuk është përkthyer në zbatim të mjaftueshëm të obligimeve përkatëse.
Përveç çështjes së personave të zhdukur, asnjëra palë nuk ka shënuar përparim të dukshëm në Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023. Edhe pse është shënuar përparim në çështjen e personave të zhdukur, ndihmën e ndërsjellë juridike dhe lirinë e lëvizjes, zbatimi i disa marrëveshjeve kyçe mbetet i papërfunduar, ndërsa disa prej arritjeve të mëparshme të dialogut janë cenuar.
Komisioni u kërkon të dyja palëve të tregojnë përkushtim më të madh ndaj obligimeve të tyre, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe deklaratat që dëmtojnë normalizimin, si dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
Raporti paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i obligimeve nga dialogu mbeten kushte thelbësore në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe se, në mungesë të përparimit, Kosova dhe Serbia rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në këtë proces.