
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesat e të akuzuarit Muhamet Alidemaj dhe mbrojtësit të tij, si dhe sipas detyrës zyrtare ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.49/25, të datës 02.02.2026, duke e kthyer çështjen në rigjykim. Ndërsa, të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në vendimin e ardhshëm të gjykatës së shkallës së parë.
Sipas aktgjykimit PS.nr.49/25, të datës 02.02.2026, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, të akuzuarin e lartcekur e ka shpallur fajtor për veprën penale në bashkëkryerje krimet e luftës kundër popullsisë civile, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, e sanksionuar si vepër penale krime lufte në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për Konventat e Gjenevës nga neni 146 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke i shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vjetësh, në të cilin dënim i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim, nga data 30.03.2021 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykim.
Gjykata e Apelit, pas analizimit dhe vlerësimit të aktgjykimit të ankimuar ka konstatuar se edhe në rigjykim kanë mbetur të pamënjanuara mangësitë e konstatuara në aktvendimin e mëparshëm të Gjykatës së Apelit, për shkak të të cilave çështja ishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje, andaj këto shkelje kanë ndikuar në ligjshmërinë e aktgjykimit dhe domosdoshmërisht kushtëzojnë anulimin e serishëm të tij dhe kthimin e çështjes në rigjykim. Kolegji gjykues ka konstatuar se aktgjykimi i ankimuar ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare që kanë të bëjnë me veprimet konkrete dhe kontributin e të akuzuarit në bashkëkryerje, duke vlerësuar vetëm deklaratat e tre dëshmitarëve, ndërsa provat e tjera të administruara në shqyrtimin gjyqësor i ka lënë tërësisht pa vlerësuar, si veçmas, ashtu edhe në lidhje me njëra-tjetrën, si dhe nuk ka dhënë asnjë arsye lidhur me provat dhe pretendimet e mbrojtjes, andaj Gjykata e Apelit ka përcaktuar për shkallën e parë se e njëjta duhet të vlerësojë çdo provë veçmas dhe në lidhje me provat e tjera, duke paraqitur arsyet se cilat fakte i konsideron të vërtetuara apo të pavërtetuara dhe përse ka ardhur deri te përfundimet e tilla.