
Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka reaguar ndaj raportimeve të fundit në disa media lidhur me rastin e vdekjes së një pacienteje, duke mohuar çdo lidhje të këtij rasti me institucionin.
Përmes një reagimi publik, spitali ka sqaruar se ngjarja e raportuar, bazuar në raportin 24-orësh të Policisë, nuk ka ndodhur në këtë institucion shëndetësor.
“Rasti nuk ka ndodhur në këtë spital dhe ngjarja e raportuar nuk ka asnjë lidhje me Spitalin e Përgjithshëm ‘Dr. Sami Haxhibeqiri’”, thuhet në reagim.
Njëkohësisht, spitali u ka bërë thirrje mediave që të jenë më të kujdesshme në verifikimin e informacioneve para publikimit, në mënyrë që të shmanget keqinformimi dhe shqetësimi i panevojshëm i qytetarëve.