Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Papa në “gjendje mjaft të mirë shëndetësore” teksa nis turneun në Amerikën Latine

Gazeta10
07 November 2026 - 18:31

Papa Leo XIV u ka thënë gazetarëve që po e shoqërojnë gjatë udhëtimit në Amerikën Latine se është në “gjendje mjaft të mirë shëndetësore”. Këto janë komentet e tij të para për gjendjen shëndetësore, që nga operacioni për heqjen e një tumori në mushkëri.

Papa ka mbërritur në Uruguai, ndalesa e parë e një turneu 12-ditor, të cilin po e zhvillon vetëm tri javë pas operacionit, raporton BBC.

Ati i Shenjtë, 71 vjeç, tha gjithashtu se është “shumë i lumtur” që ka mundësi ta realizojë këtë udhëtim, i cili muajin e kaluar ishte vënë në pikëpyetje, pasi mjekët zbuluan një tumor gjatë një kontrolli rutinë.

Turneu do të përfshijë Argjentinën dhe një rikthim shumë të pritur në Peru, të cilin Vatikani e ka cilësuar si një “kthim në shtëpi”, pasi Papa kishte jetuar atje për shumë vite si misionar e më pas si ipeshkëv.

“Duhet ta pranoj se, që nga dita e parë, nuk kam pasur asnjë dyshim; isha i bindur se ky udhëtim duhej të realizohej”, u tha Papa gazetarëve në aeroplan, gjatë rrugës për në Uruguai.

“Falë stafit të mrekullueshëm mjekësor… besoj se jam në gjendje mjaft të mirë shëndetësore”, konfirmoi Papa Leo.

Operacioni i muajit të kaluar për heqjen e tumorit ishte i suksesshëm, ndërsa mjekët e tij kanë bërë të ditur se kanceri nuk është përhapur.

Të premten, ai mbërriti në Montevideo, ku përgjatë bregdetit ishte mbledhur një numër i madh njerëzish, të cilët brohorisnin emrin e tij teksa kalonte makina papnore.

Në fjalimin e tij të parë gjatë këtij udhëtimi, Papa tha se kujdesi shëndetësor universal duhet të jetë “i qasshëm për të gjithë”.

Duke iu drejtuar turmës në sheshin Plaza Independencia, ai tha se kujdesi mjekësor që kishte marrë e kishte bërë të mendonte për “shumë burra dhe gra që nuk kanë mundësi të sigurojnë një diagnozë në kohë apo të marrin trajtimin e nevojshëm”.

Ditën e tij në Uruguai e përmbylli me një lutje në Katedralen e Montevideos.

Papa Leo do të përshkojë më shumë se 20 mijë milje gjatë turneut të tij të gjashtë ndërkombëtar.

Të dielën, ai do të udhëtojë drejt Argjentinës, vendlindjes së paraardhësit të tij, Papa Françeskut, i cili nuk u kthye atje gjatë kohës sa ishte Papë.

Papa tha se vizita e tij synon të jetë pranë njerëzve, të cilët presin nga Kisha një mesazh “shprese”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.