Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kuvendi mban seancë të enjten, pritet miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare

Gazeta10
09 November 2026 - 12:26

Kuvendi mban seancë të enjten, pritet miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e radhës të enjten, më 12 nëntor, duke filluar nga ora 10:00.

Kështu ka bërë të ditur shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën.

Ajo tha se, përveç pikave të rregullta të rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë katër marrëveshje ndërkombëtare nga fusha e drejtësisë.

Në vazhdim të seancës, sipas saj, është paraparë interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Po ashtu, deputetët do të trajtojnë edhe mocionin përmbajtjesor lidhur me çështjen e energjisë.

Nagavci: Të enjten pritet të miratohen katër marrëveshje ndërkombëtare

“Seanca e radhës do të mbahet ditën e enjte, më 12 nëntor, në fillim nga ora 10:00. Përveç pikave të rregullta, që janë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, do të shqyrtohen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare që kaluan sot në Komisionin për Legjislacion. Janë katër marrëveshje nga fusha e drejtësisë dhe pas këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare është interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, e iniciuar nga PDK-ja. Pastaj edhe mocioni përmbajtjesor për trajtimin e çështjes së energjisë”, shtoi ajo.
Çështja e energjisë do të jetë një nga temat tjera që do të debatohet në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Iniciuesi i këtij debati, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar energjinë si një nga temat më të rëndësishme për vendin, duke ngritur shqetësime për mungesën e energjisë elektrike, çmimin e rrymës dhe transaksionet për blerjen e saj.

Tahiri ka thënë se gjatë gjashtë viteve të qeverisjes është blerë rrymë në vlerë prej mbi një miliard eurosh, çështje për të cilën, sipas tij, duhet të ketë jo vetëm hetim nga Prokuroria, por edhe hetim parlamentar.

“Blerja e rrymës”, Tahiri adreson kritika ndaj qeverisë Kurti për energjinë elektrike

“Të enjten do të debatojmë për energjinë. Për temën më të rëndësishme që sot e ka Kosova, jo vetëm mungesën e energjisë elektrike, mirëpo edhe aspekte që ndërlidhen me çmimin e rrymës. Njëkohësisht, edhe elemente që lidhen me transaksionet dhe blerjen e rrymës. Ajo çka ka ndodhur gjatë këtyre viteve të kësaj qeverie, blerja e rrymës mbi 1 miliard euro, është një çështje që do të duhej të kishte jo vetëm hetim brenda Prokurorisë, por edhe hetim parlamentar. Është e pabesueshme që për gjashtë vjet të mos rinovohet B1. B1 nuk është në funksion dhe as nuk do të hyjë në funksion këtë dimër”, tha ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.