
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka komentuar sot mundësinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk do të befasohej nëse Qeveria e Kosovës ndryshon qasjen për këtë çështje, duke iu referuar Marrëveshjes së Ohrit, të dakorduar në vitin 2023.
Sipas tij, në këtë marrëveshje thuhet se të gjitha marrëveshjet e mëhershme ndërkombëtare duhet të zbatohen.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ditë më parë ka thënë se Qeveria e Kosovës mund të jetë më e gatshme për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet në Serbi më 25 tetor.
“Qeveria e kaluar e ka miratuar Marrëveshjen e Ohrit. Në Marrëveshjen e Ohrit specifikisht thuhet se të gjitha marrëveshjet e deritanishme ndërkombëtare do të jenë të zbatueshme. Kjo marrëveshje është në ueb faqen e Bashkimit Evropian. Unë nuk befasohem në raport me këtë temë”, tha Tahiri.
Në anën tjetër, Tahiri ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të publikojë listën e 171 mjekëve që, sipas tij, janë kthyer në Kosovë.
Tahiri ka thënë se largimi i personelit mjekësor dhe shëndetësor nga Kosova, veçanërisht drejt Gjermanisë dhe Zvicrës, është i dukshëm. Për ta ilustruar këtë, ai ka përmendur edhe raste nga rrethi i tij familjar, duke thënë se dy mjeke që i njeh janë larguar për në Gjermani.
Ai ka kërkuar që Kurti të bëjë publikë emrat e personave të kthyer, duke thënë se nëse publikohet kjo listë, edhe ai do të prezantojë një listë me rreth 170 profesionistë kosovarë që kanë ikur jashtë vendit.