
Franca ka akuzuar Iranin për organizimin e sulmeve kibernetike që goditën sistemet e frigoriferëve dhe ngrirësve në qindra supermarkete në vend, duke shkaktuar dëme që vlerësohen në miliona euro.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se pas sulmeve qëndron Garda Revolucionare Islamike e Iranit. Ai e cilësoi ngjarjen si të paprecedentë për nga përmasat dhe niveli i agresivitetit, ndërsa bëri të ditur se Franca do të kërkojë vendosjen e sanksioneve në nivel evropian ndaj personave përgjegjës.
Sulmi i muajit të kaluar bëri që frigoriferët dhe pajisjet ngrirëse në qindra supermarkete franceze të rrisnin temperaturën, duke sjellë prishjen e sasive të mëdha të produkteve ushqimore të freskëta dhe të ngrira.
Ndërkohë, javën e kaluar, sulme të ngjashme prekën edhe dhjetëra supermarkete në shtatë vende të tjera evropiane. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse këto incidente kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Prokuroria e Parisit njoftoi të hënën hapjen e një hetimi ndaj drejtuesit të një njësie të operacioneve kibernetike ofensive, e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit. /Panorama