Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gjukanoviq: Ndryshimi i pushtetit në Serbi s’ka dobi nëse vazhdon e njëjta politikë ndaj Kosovës

Gazeta10
11 November 2026 - 8:08

Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se e ardhmja politike e Serbisë dhe raportet e saj me Kosovën do të jenë tregues të rëndësishëm të orientimit të vendit, ndërsa ka paralajmëruar se vazhdimi i politikës së Aleksandar Vuçiqit do të varet edhe nga përbërja dhe drejtimi i qeverisë së ardhshme serbe.

Duke folur në një plenum solemn në Cetinë, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, Gjukanoviq ka ngritur pyetjen nëse Serbia do të ketë një qeveri që përfaqëson interesat e shtetit serb apo një qeveri që përfaqëson interesat e serbëve në rajon.

“Pyetja e parë është nëse Serbia do të ketë qeveri të Serbisë apo qeveri të serbëve në rajon. Nëse është kjo e dyta, atëherë politika e Vuçiqit do të vazhdojë”, ka deklaruar Gjukanoviq.

Ai ka thënë se një tjetër çështje vendimtare është politika e jashtme e Serbisë dhe nëse ajo do të përcaktohet për të qenë shtet evropian.

“Çështja e qëndrimit ndaj Kosovës do të japë përgjigjen nëse Serbia do të shikojë drejt së ardhmes apo do të gërmojë në të kaluarën”, ka theksuar ish-presidenti malazez.

Kritika ndaj Rusisë dhe politikës së Vuçiqit

Duke folur për zhvillimet gjeopolitike, Gjukanoviq ka paralajmëruar se legjitimimi i forcës dhe i politikave agresive mund të sjellë pasoja të rënda ndërkombëtare.

“Po legjitimohet tani sjellja e dhunshme dhe, nëse kjo tendencë nuk vihet nën kontroll, më frikëson përfundimi gjeopolitik”, ka thënë ai.

Sipas Gjukanoviqit, disa politika të tilla kanë pësuar humbje, duke përmendur edhe zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka vlerësuar se Mali i Zi, si shtet i vogël, duhet të përqendrohet te rajoni dhe te problemet e veta, duke shtuar se vendi nuk ka aktualisht kapacitetin e nevojshëm për t’u përballur me sfidat që dalin nga rrethanat gjeopolitike.

Gjukanoviq ka theksuar se Mali i Zi duhet t’i shfrytëzojë mundësitë që paraqiten, veçanërisht ato që lidhen me zgjedhjet e ardhshme.

“Është marrëzi të përsëritet gabimi”, ka deklaruar ai, duke folur edhe për raportet me Serbinë, të cilat sipas tij janë dëmtuar thellë.

Ai ka shtuar se ndryshimet politike në Serbi nuk duhet të krijojnë eufori, pasi është e rëndësishme të dallohet nëse bëhet fjalë vetëm për ndryshim të regjimit apo për ndryshim të politikës.

“Nëse është ndryshim i regjimit, nuk ka ndonjë dobi të madhe. Nëse është ndryshim i politikës, atëherë është në rregull”, ka thënë Gjukanoviq.

“Pushteti shkatërrues i vitit 2020 nuk ia doli”

Ish-presidenti malazez ka folur edhe për zhvillimet e brendshme në Mal të Zi, duke vlerësuar se gjashtë vitet e fundit janë karakterizuar nga stagnimi dhe regresi serioz.

Ai ka thënë se përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian nuk mund t’i mbulojë problemet që, sipas tij, janë të pranishme në të gjitha sektorët jetikë të shtetit.

“Pushteti shkatërrues i vitit 2020 nuk ia doli”, ka deklaruar Gjukanoviq, duke shtuar se Mali i Zi ka nevojë për një qeveri me përgjegjësi kombëtare.

Ai ka theksuar se vendi duhet t’i rregullojë problemet e veta dhe se së shpejti mund të shfaqen mundësi për ta ndryshuar situatën politike.

Gjukanoviq ka rikujtuar edhe procesin e rivendosjes së pavarësisë së Malit të Zi, duke thënë se ka arsye për krenari për mënyrën se si është realizuar referendumi dhe për përpjekjet e bëra në ndërtimin e institucioneve shtetërore.

Ai ka kritikuar gjithashtu mungesën e entuziazmit të Bashkimit Evropian në të kaluarën, duke thënë se, po të kishte pasur në Bruksel gjysmën e entuziazmit që ekziston sot për zgjerimin, Mali i Zi do të ishte anëtarësuar në BE që në vitin 2016.

Në këtë aktivitet ka folur edhe ish-emisari i BE-së për referendumin në Mal të Zi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se Mali i Zi është afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por se kjo nuk do të ndodhë automatikisht.

Lajçak ka përmendur edhe çështjet që Mali i Zi duhet t’i zgjidhë me Kroacinë deri në fund të vitit, duke theksuar se anëtarësimi kërkon përqendrim në objektivin evropian.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze, Aleksandar Radoman, ka kritikuar ndikimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, në politikën malazeze, duke e cilësuar atë si politikanin më të fuqishëm në vend.

Radoman ka pretenduar se institucionet e sigurisë, prokuroria dhe policia po vihen në funksion të politikës, ndërsa ka shprehur dyshime për gjendjen e sundimit të ligjit në Mal të Zi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.