
Gjatë shqyrtimit në parim të Projektligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka adresuar një seri kritikash dhe pyetjesh ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke vënë në pikëpyetje orientimin strategjik të buxhetit dhe përputhjen e tij me premtimet e Qeverisë
Hoti tha se buxheti nuk duhet të shihet vetëm si dokument financiar, por si një instrument strategjik që përcakton drejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.
“Buxheti nuk është një plan kontabël, është një dokument strategjik. Edhe unë jam munduar me e pa atë pjesën e analizës tekstuale që është në fund të këtij dokumenti të madh, me pa sesa në aspektin strategjik qeveria e ka planifikuar këtë dokument të buxhetit për vitin 2027 edhe vitet e ardhshme, sepse rreth një e treta e të ardhurave kombëtare qeveria jua merr qytetarëve dhe bizneseve. Rreth 32% është vitin e ardhshëm. Pra është një e treta e të ardhurave kombëtare që e marrim, e merr shteti edhe e investon, e shpenzon në forma të ndryshme që është pak kryesisht përmes buxhetit ne i japim drejtim, ekonomik ose duhet t’i japim drejtim ekonomisë, sepse një e treta e rrjedhës së aktiviteteve ekonomike ne e marrim, e fusim në shtet”, deklaroi Hoti.
Ai theksoi se këto mjete duhet të kthehen në ekonomi përmes shpenzimeve që prodhojnë efekte konkrete, duke paralajmëruar se përndryshe një pjesë e madhe e aktivitetit ekonomik mund të kanalizohet në shpenzime joproduktive.
“Dhe ne duhet ta nxjerrim prapë në rrjedhë, në mënyrë që të rriten të ardhurat, mos ta shmangim një e treta e krejt aktiviteteve ekonomike edhe mandej çojmë në aktivitete që edhe në shpenzime që nuk prodhojnë ndonjë efekt”, u shpreh ai.
Duke folur për ndarjen e buxhetit në shpenzime korente dhe kapitale, Hoti tha se Qeveria duhet të ketë një qasje më të qartë ndaj pagave, pensioneve, asistencës sociale dhe shpenzimeve për mallra e shërbime.