
Në Itali është lëshuar një alarm për bombë në mbi 6 mijë shkolla, pas një emaili anonim kërcënues, ku pretendohej se ishte vendosur një pajisje shpërthyese me telekomandë. Nxënësit dhe stafi u evakuuan, ndërsa kontrollet e policisë nuk zbuluan rrezik konkret.
Sipas ANSA, hetimet zbuluan se emaili ishte dërguar nga një llogari e komprometuar e Universitetit Daye në Tajvan, që dyshohet se i përkiste një ish-studenti. Mesazhi, i nënshkruar nga një person me emrin Mikhail Andropov, lidhet me kërcënime të ngjashme të ditëve të fundit në disa vende evropiane.
Qeveria italiane e cilësoi rastin pjesë të një fenomeni ndërkombëtar të sulmeve kibernetike, që synojnë përhapjen e panikut dhe destabilizimin. Ministrat Crosetto dhe Piantedosi kanë shprehur gatishmërinë për të raportuar urgjentisht në Parlament. Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani deklaroi se edhe ai dhe familjarët e tij, përfshirë të miturit, kanë qenë objekt kërcënimesh kibernetike.