
Dy persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin se kanë keqpërdorur 62 mijë e 902 euro nga grantet ndërkombëtare, transmeton KosovaPress.
Sipas Policisë së Kosovës, të arrestuarit janë H.L. dhe T.M., njëri drejtor dhe tjetri menaxher i një kompanie, të cilët dyshohen për veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”.
Të dyshuarit kishin përfituar 2 grante në vlerë të përgjithshme prej 575 mijë e 736 eurosh.
Nga granti i parë, në vlerë prej 293 mijë e 500 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 23 mijë euro, përmes raportimeve të rreme lidhur me shpenzimet për blerjen e makinerive.
Ndërkaq, nga granti i dytë, në vlerë prej 282 mijë e 236 eurosh, dyshohet se janë keqpërdorur 39 mijë e 902 euro, duke përdorur të njëjtën mënyrë raportimi.
“Gjatë procesit hetimor është vërtetuar që të dyshuarit nga këto dy grante kanë arritur të keqpërdorin mjete monetare në vlerë prej 62,902.00 € në tërësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Arrestimi i tyre është realizuar më 11 nëntor, në kuadër të hetimeve që lidhen me rastin e datës 4 tetor 2026.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me urdhër të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.