Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Osmani kundër përmbysjes së vetos për Specialen: LDK-ja nuk mbështet miratimin e të njëjtit ligj

Gazeta10
12 November 2026 - 10:46

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se partia e saj nuk do ta mbështesë përmbysjen e vetos së presidentes për Ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse synimi është që në Kuvend të rikthehet dhe të miratohet i njëjti ligj.

Osmani, para fillimit të mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, ka thënë se qëndrimi i LDK-së do të varet nga përmbajtja e nismës që do të procedohet në Kuvend, por në parim kjo parti është kundër një veprimi të tillë.

“Ne po presim tani të shohim se çfarë do të sillet në Kuvend. Natyrisht që qëndrimet gjithmonë varen edhe nga përmbajtja. Por, në parim, në qoftë se synohet që të kalohet ligji i njëjtë dhe të përmbyset vetoja e presidentes, natyrisht që ne nuk jemi për”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka kritikuar iniciativat që, sipas saj, nuk kontribuojnë në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës dhe luftës çlirimtare, por krijojnë pritje të rreme.

Osmani ka vlerësuar se institucionet e Kosovës është dashur të përqendrohen në mbrojtjen e kësaj të vërtete në arenën ndërkombëtare, duke kritikuar mungesën e një angazhimi të koordinuar shtetëror në mediat dhe platformat e rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas saj, iniciativa të tilla jo vetëm që nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe obligimet ndërkombëtare të Kosovës, por mund ta dëmtojnë edhe më shumë kauzën e mbrojtjes së së vërtetës historike, veçanërisht në prag të procedurës së apelit në rastin e krerëve të UÇK-së.

Ish-presidentja ka thënë se mbrojtja e luftës së UÇK-së dhe e dinjitetit të veprimtarëve të LDK-së nuk janë qëndrime kundërshtuese, por plotësuese të njëra-tjetrës.

Ajo ka kritikuar edhe etiketimet ndaj LDK-së për qëndrimin e saj, duke përmendur vendosjen e emrave të përfaqësuesve të kësaj partie pranë njerëzve të Serbisë, gjë që e ka cilësuar si të papranueshme.

“Ne do ta mbrojmë të vërtetën historike të Kosovës, luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por njëkohësisht ne nuk i kërkojmë leje askujt që të mbrojmë edhe dinjitetin e njerëzve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të familjeve të veprimtarëve të saj”, ka theksuar Osmani.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.