
Ankesat e pacientëve duhet të trajtohen me seriozitet dhe jo vetëm të regjistrohen, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në Konferencën e parë Ndërkombëtare për Cilësinë e Shërbimeve Shëndetësore, të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Haxhiu ka theksuar se cilësia e shërbimeve shëndetësore nuk duhet të trajtohet vetëm si standard institucional, por si përgjegjësi ndaj pacientëve, të cilët presin ndihmë në kohën e duhur dhe trajtim me profesionalizëm e dinjitet.
Haxhiu ka vlerësuar se pabarazia në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor bëhet veçanërisht e rëndë kur rezulton me diagnoza të vonuara dhe mundësi të humbura për trajtim.
Haxhiu ka përmendur edhe Strategjinë Sektoriale të Shëndetësisë 2025-2030, duke theksuar se Kuvendi do të mbikëqyrë zbatimin e objektivave të saj për përmirësimin e cilësisë, sigurisë dhe qasjes në shërbime shëndetësore.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se përmirësimi i cilësisë kërkon mobilizim dhe punë të përditshme nga të gjithë akterët e sistemit shëndetësor.
Ai ka theksuar se konferenca trajton çështje të rëndësishme, përfshirë sigurinë e pacientit, auditimet klinike, protokollet mjekësore, përdorimin racional të barnave dhe inovacionin teknologjik.