
Kënga patriotike serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi Kosovën, është interpretuar në Bruksel, në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian (EU Enlargement Forum 2026), që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisionares për Zgjerim, Marta Kos.
E pranishme në sallë në Bruksel, ka qenë edhe Edlira Dibrani, Ambasadore e Rinisë Evropiane për Kosovën nga platforma WeBalkans, e cila e ka cilësuar si të turpshme dhe skandaloze performancën e këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës.
Dibrani ka shprehur habinë dhe indinjatën për faktin se një këngë e tillë u interpretua në një aktivitet që synon të promovojë vlerat evropiane dhe procesin e zgjerimit të BE-së.
“Një forum i cili po mbledh vendet nga e gjithë Evropa për të diskutuar për zgjerimin e BE-së dhe vlerat evropiane, neve na surprizon dhe shokon një performancë e tillë, e cila Kosovën nuk e përfaqëson aspak”, ka deklaruar Dibrani për Telegrafin.
“Është e turpshme që në qendër të Brukselit të bëhet kjo performancë skandaloze, ku Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë, kur po flasim për integrim në BE, nga vetë BE-ja”, ka theksuar ajo.
Kënga njihet më shumë përmes refrenit “Oj Kosovo, Kosovo” dhe është një prej këngëve patriotike serbe që lidhet drejtpërdrejt me narrativën historike dhe nacionaliste të Serbisë për Kosovën.
Ajo është shkruar në vitin 1989 nga kompozitori dhe këngëtari serb Ljubomir Ljuba Manasijeviq, në kohën e shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389.
Kënga u regjistrua në vitin 1990, ndërsa më vonë u bë veçanërisht e njohur në diskursin nacionalist serb për Kosovën.
Në tekstin e saj përmenden Graçanica, Vidovdani, princi Lazar dhe Millosh Obiliqi, figura të rëndësishme të traditës epike dhe fetare serbe. Por mesazhi politik bëhet edhe më i drejtpërdrejtë në vargjet ku thuhet se Kosova është tokë e tyre dhe se nuk do ta dorëzojnë.