
Qeveria e Kosovës ka miratuar propozimin e kryeministrit Albin Kurti për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe.
Në mbledhjen e Qeverisë, Albin Kurti tha se ky vendim vjen si përgjigje ndaj bllokimit të dy linjave të interkoneksionit prej 400 kilovoltësh nga Serbia, të cilat, sipas tij, pamundësojnë tranzitin e energjisë elektrike nga shtetet e tjera drejt Kosovës.
Ai ka theksuar se këto linja nuk janë të nevojshme për importimin e energjisë nga Serbia, por për mundësimin e qarkullimit të lirë të energjisë elektrike nga vendet e tjera.
“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, mirëpo e pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë tranzit nga shtetet tjera. Pra dy linjat të interkonjeksionit 400 kilovolshe të cilat i ka bllokuar Serbia neve nuk na duhen të hapura në mënyrë që të importojmë prej saj, por, në mënyrë që ato të shfrytëzohen për tranzit, për qarkullimin e lirë të energjisë elektrike, e cila me bllokimin e Serbisë e ka fituar një mur në vend të telave të shpërndarjes. E si rezultat i këtij bllokimi të Serbisë përgjatë viteve ka pasur ditë kur mbingarkesa në linjat me shtetet tjera, veçanërisht me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar rritje marramendëse çmimesh, saqë me 14 dhe 20 janar të këtij viti ishte pamundësuar sigurimi i energjisë së mjaftueshme, duke e detyruar KOSTT-in të aplikojë reduktime në furnizim me energji elektrike. Që nga marrja e detyrës në mandatin e mëhershëm, në mars të vitit 2021, kemi bërë çdo përpjekje që të sigurojmë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për të ushtruar presion ndaj Serbisë për t’i liruar linjat. Përfundimisht, në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave i Komunitetit të Energjisë ka vërtetuar shkeljen e traktatit të komunitetit nga Serbia dhe e ka detyruar atë të lirojë linjat më së largu deri më 1 korrik 2026”, tha Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në këtë fazë do të përjashtohet furnizuesi i themeluar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Megjithatë, Kurti ka paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim nga autoritetet e Serbisë, Qeveria mund të përshkallëzojë masat, përfshirë edhe mundësinë e prekjes së këtij furnizuesi dhe rishqyrtimin e tërësishëm të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për energjinë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Fatban Bunjaku, ka paraqitur arsyetimin e propozim-vendimit, duke thënë se pengesat nga Serbia janë të pranishme që nga dhjetori i vitit 2020, kur KOSTT filloi operimin si zonë e veçantë kontrolli.
Sipas tij, operatori serb i sistemit të transmetimit, EMS, vazhdon të pengojë përcaktimin dhe alokimin e kapaciteteve ndërkufitare me Kosovën, duke pamundësuar shfrytëzimin komercial të linjave të interkoneksionit.
Ai ka theksuar se ankesa e Kosovës ishte konfirmuar si e bazuar nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë, përmes vendimit të 18 dhjetorit 2025, ndërsa Serbia nuk i ka ndërmarrë masat korrigjuese brenda afatit të përcaktuar.
Sipas propozim-vendimit, kundërmasat përfshijnë ndalimin e blerjes, shitjes, importit dhe eksportit të energjisë elektrike me ndërmarrjet e identifikuara me origjinë nga Serbia, qoftë drejtpërdrejt, përmes transitit apo rishitjes.