Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Berisha: Hamza bëri “ekskursion” te Kurti e Abdixhiku për Ligjin e Speciales

Gazeta10
17 November 2026 - 21:41

Veterani i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-deputeti, Zafir Berisha, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për mënyrën se si, sipas tij, e ka trajtuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë dhe zhvillimet që pasuan më 16 shtator.

Në emisionin “Politiko” në Kanal10, Berisha ka thënë se deri para 15 vjetësh ka qenë vetë anëtar i PDK-së, por sot, siç është shprehur, kjo parti ka mbetur në duart e “infantilëve politikë”.

Ai ka deklaruar se drejtuesit e PDK-së janë gjendur të papërgatitur për zhvillimet e 16 shtatorit, pasi, sipas tij, kishin pritur që ajo ditë të shënonte kthimin e katërshes së UÇK-së dhe të festonin lirimin e tyre.

“PDK-ja ka mbetur në duart e fëmijëve infantilë politikë, që nuk e kanë idenë se çfarë janë duke bërë dhe çfarë janë duke dashur. Njëherë kanë marrë turr, sepse janë gjetur të befasuar. Ata me gjasë kanë qenë të përgatitur të dalin në aeroporte, t’u bien borive me flamuj, sepse nuk e kanë pasur idenë se çfarë po ndodhte në prapavijë”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka kritikuar edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për veprimet e tij pas këtyre zhvillimeve, veçanërisht për takimet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me qëllim të koordinimit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Berisha e ka cilësuar këtë veprim si një “ekskursion”, duke thënë se Hamza fillimisht kishte shkuar te Kurti e më pas te Abdixhiku për t’u koordinuar lidhur me këtë çështje.

Ai ka përmendur edhe qëndrimet e përfaqësuesve të Vetëvendosjes gjatë leximit të parë të projektligjit, përfshirë fjalimet e kryeministrit dhe të shefes së grupit parlamentar.

Në fund, Berisha ka vënë në pikëpyetje edhe mënyrën se si deputetët iu drejtuan presidentes me kërkesë për ndryshimin e ligjit.

“Edhe sot nuk e kam të qartë pse e kanë bërë, sepse nuk ka pasur ndonjë praktikë që deputetët të shkojnë te presidentja për të kërkuar ndryshimin e ligjit”, ka deklaruar Berisha.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.