Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qeveria e miraton Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale

Gazeta10
09 November 2022 - 11:28

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, raporton Gazeta10.

Me këtë rast, Kryeministri Albin Kurti, tha se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.

“Ky sistem do të mundësojë transparencë më të madhe. Përmes lidhjes në sistemin elektronik do të sigurojë efikasitet më të madh për llogaridhënie në sistemin gjyqësor. Ky sistem mirëmbahet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe siguron qasje të plotë në Ministrinë e Drejtësisë. Do të mundësojë shkëmbim më të lehtë të dhënave”, tha ai.

Ndërkaq edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur për Projektligjin për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, duke thënë se ky sistem mundëson transparencë më të madhe në sistemin gjyqësor.

“Është në përputhje me programin e qeverisë dhe është rezultat i një analize të gjerë të Ministrisë së Drejtësisë. Për herë të parë çështja e evidencës penale do të rregullohet me një ligj të veçantë. Ky ligj rregullon sistemin qendror të evidencës penale të Republikës së Kosovës, krijimin e mekanizmave strukturor institucional të sistemit, mirëmbajtjen dhe lëshimin e të dhënave, si dhe procedurën për rehabilitimin e personave të dënuar dhe qasjen në këto informata, përfshirë edhe afatet përkatëse kohore”, tha Haxhiu.

Ajo tha se Ministria e Drejtësisë do të ketë qasje në Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës.

Në mesin e pikave të rendit të ditës së mbledhjes së Qeverisë ishte edhe themelimi i Komisionit Republikan të Festave.

Po ashtu, është votuar propozim-vendimi për shitjen e automjeteve zyrtare që janë të papërdorshme dhe jashtë funksionit të Ministrisë së Ekonomisë./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.