
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri ka reaguar pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit për shkak të mungesës së kuorumit.
Tahiri ka bërë të ditur se Aleanca kërkon që seanca e së enjtes të mbahet sipas planifikimit, por njëkohësisht ka kërkuar që dekreti i presidentes lidhur me Ligjin për Specialen të vijë në Kuvend.
Ai kritikoi zvarritjen e kësaj çështjeje, duke vlerësuar se një situatë e tillë nuk i bën nder Kuvendit të Kosovës.
“Sot ne nuk patëm kuorum në mbledhjen e kryesisë, rendi i ditës për të enjten ka ardhur me kohë. Ajo që ne thamë si grup parlamentar si Aleancë, ne kërkojmë që seanca e të enjtes të mbahet, mirëpo njëkohësisht kërkojmë që ligji për specialen, dekreti i presidentes të vjen në kuvend, kjo është kërkesa jonë, do të ketë qartësi. Kjo zvarritje e kësaj kohe, nuk i bënë nder kuvendit të Kosovës”, tha Tahiri.
Ndryshe, presidentja Justina Shiroka-Pula, më 22 tetor, ka kthyer në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Sipas Presidencës, vendimi është marrë pas propozimit zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së, me qëllim të rishqyrtimit të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në Hagë.