
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në Politiko ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet përcjellja e Jakup Krasniqit gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, duke thënë se përfaqësuesit e Gjykatës së Hagës sillen sikur institucionet e Kosovës të mos ekzistonin.
Limaj tha se përfaqësuesit e Hagës vijnë në Kosovë “si kapadai”, duke mos lënë hapësirë që institucionet vendore të marrin përgjegjësinë për sigurinë dhe përcjelljen e të akuzuarve.
“Kur vijnë ata këtu, si kapadai, gjoja një përcjellje, siç e kemi parë në disa raste, e shfaqin sjelljen, s’lënë asnjë mundësi pa e demonstruar sjelljen. Një shtet normal nuk do ta pranonte një gjë të tillë, do t’u thoshte: ne marrim përgjegjësi këtu”, deklaroi Limaj.
Ai kritikoi edhe institucionet e Kosovës, duke thënë se ato pezullohen në raste të tilla dhe nuk ushtrojnë autoritetin e tyre.
“Kur vijnë ata, suspendohen institucionet tona. Shteti është suspenduar sot komplet dhe ne jemi spektatorë. Krejt çka na mbetet është të vijmë në studio, të vajtojmë, të shkruajmë statuse, e shteti hesht”, u shpreh Limaj.