
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar ashpër në Seancën Plenare të mbrëmshme duke iu kundërpërgjigjur deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, lidhur me deklaratat për inspektorët dhe ndërhyrjen e mundshme gjatë riteve fetare.
“Unë nuk do ta kërkoja fjalën sikur të mos e shihja duke u viktimizuar Igorin dhe kolegët afër tij. Natyrisht, dua t’i them disa gjëra të cilat ndoshta kam dashur t’i them më herët, por nuk më ka ardhur rasti. Tash më erdhi rasti”, tha Rexhaj.
Duke iu referuar deklaratave të Simiqit, Rexhaj u shpreh:
“Nëse e vëreni, Igori në një rast thotë se këta inspektorë mund t’i ndërpresin ata në rite fetare duke i ndezur qirinjtë. Pra, është njëfarë viktimizimi i plotë, siç e kanë ditur dhe çfarë kanë ditur ta bëjnë këta në Kosovë”.
Rexhaj më pas përmendi masakrat ndaj shqiptarëve, duke veçuar rastin e Kishës së Kabashit.
“Për shembull, në Kosovë, njëra prej kishave ku janë falur edhe të parët tanë ka qenë Kisha e Kabashit, ku janë vrarë 112 shqiptarë. Nuk janë vrarë me armë ose revole, por me sëpatë. Edhe familja ime ka qenë afër shuarjes për shkak të masakrave të tilla. Ka shumë raste të tilla në Kosovë”, deklaroi ai.
Rexhaj ngriti edhe çështjen e trashëgimisë ortodokse shqiptare, duke shtuar se ajo është përvetësuar dhe paraqitur si trashëgimi serbe.
“Sigurisht, kjo është një problematikë sistematike, sepse komplet trashëgiminë tonë ortodokse shqiptare e kanë marrë këta dhe e kanë bërë si serbe, e kurrë në Kosovë nuk ka qenë serbe”, u shpreh Rexhaj.
Ai vazhdoi me kritikat, duke përmendur edhe viktimat shqiptare dhe përvojat e familjeve gjatë luftës:
“Edhe na kanë vrarë, na kanë masakruar dhe na kanë rrezikuar familjet tona që të mos ekzistojmë fare, e del këtu inspektori dhe thotë ma ndaluan faljën, po ti e ke shumicën dhe të drejtat në Kosovë, e del e viktimizohesh me Igorin. Kishat ortodokse kanë shërbyer si bunkerë për eliminimin e shqiptarëve. Jeni munduar edhe Zotin me mashtru, dhe atë shkollën e juaj serbe-jugosllave e keni mësuar”, tha Arbër Rexhaj.