
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë në rigjykim I.A, dhe Rr.A , për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza. Gjykata i dënoi të dy me nga 18 vjet burgim.
Aktgjykimi u shpall të premten, më 20 nëntor, një javë pasi palët paraqitën fjalët përfundimtare. Në seancën e 13 nëntorit, Prokuroria Speciale kishte kërkuar që të dy të akuzuarit të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin me burgim.
Në fjalën përfundimtare, I.A tha se kishte kaluar rreth tre vjet e gjysmë në paraburgim dhe se e kishte ndërgjegjen e pastër. Rr.A kundërshtoi akuzën dhe kërkoi që çështja të mos kthehej sërish në rigjykim.
Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007 në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të dy akuzoheshin për pjesëmarrje në vrasjen e tij në bashkëkryerje.