Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Shqipëria mohoi – kush pretendoi se ajo ishte përfshirë në sulmin ukrainas në Libi?

Gazeta10
23 November 2026 - 11:55

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë mohoi se territori shqiptar është përdorur për nisjen e dronëve që sulmuan një anije luftarake ruse në Libi, pas pretendimeve të përhapura në rrjetet sociale.

Reagimi vjen pas sulmit të 22 nëntorit ndaj anijes luftarake ruse, Merkury, të tipit korvetë, në një bazë detare pranë Bengazit, në lindje të Libisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi më 23 nëntor se Ukraina kishte sulmuar dy anije ruse pranë brigjeve libiane, duke përdorur shtatë dronë detarë.

Sipas tij, anija Merkury, e vënë në shërbim në vitin 2023, u fundos, ndërsa objektiv ishte edhe një anije mallrash që transportonte armë dhe municione ruse përmes Mesdheut.

Zelensky nuk sqaroi se nga ishin nisur dronët.

“Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme shqiptare, të publikuar në Facebook.

Ministria i cilësoi si të pabazuara pretendimet që e lidhnin Shqipërinë me sulmin, duke theksuar se ato nuk mbështeten në prova të verifikueshme.

Ajo u bëri thirrje atyre që i kanë përhapur, që t’i korrigjojnë informacionet.

Kush pretendoi se dronët ishin nisur nga Shqipëria?

Pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë u përhapën më 22 nëntor në platformën X, përmes llogarive që publikojnë informacione për zhvillimet ushtarake.

Clash Report, duke cituar një burim të paidentifikuar, pretendoi se dronët ishin nisur nga Shqipëria dhe jo nga Libia perëndimore.

Sipas këtij burimi, pala lindore libiane kishte zbuluar nisjen e tyre, ndërsa raportimet për origjinën nga Libia perëndimore synonin të shpërqendronin vëmendjen.

Edhe llogaria Visioner pretendoi se një dron detar kishte përshkuar më shumë se 800 kilometra nga Shqipëria deri në brigjet e Libisë.

Asnjëra prej këtyre llogarive nuk paraqiti prova të verifikueshme për pretendimet.

Çfarë dihet për sulmin?

Autoritetet e Libisë lindore njoftuan se një sulm i dyshuar me dronë detarë shkaktoi shpërthim në anijen luftarake ruse, Merkury, të ankoruar në bazën detare të Bengazit më 22 nëntor.

Anija kishte ndaluar për t’u furnizuar me karburant dhe pajisje, në kuadër të bashkëpunimit detar mes Rusisë dhe autoriteteve të Libisë lindore.

Sipas burimeve mjekësore të cituara nga Reuters, dhjetë shtetas rusë dhe libianë pësuan lëndime të lehta.

Pamjet satelitore të kompanisë Vantor treguan se pjesa më e madhe e anijes ishte fundosur, ndërsa vetëm pjesa e përparme mbetej mbi ujë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi më 23 nëntor se Ukraina kishte kryer sulmin me shtatë dronë detarë, duke fundosur anijen Merkury dhe, sipas tij, duke shkatërruar edhe një helikopter ushtarak rus, Ka-27.

Ai tha se ishte goditur edhe anija ruse e mallrave, Angara, të cilën Moska e përdorte për transportimin e armëve.

Reuters raportoi, ndërkohë, se edhe një anije tregtare me flamur maltez ishte goditur nga një dron detar pranë Bengazit, po më 22 nëntor.

Burime ushtarake libiane thanë se ekuipazhi i saj ishte shpëtuar dhe se forcat libiane kishin kapur më shumë se 20 dronë detarë atë mbrëmje.

Nuk është konfirmuar nëse anija me flamur maltez është e njëjta anije mallrash që përmendi Zelensky.

Kërkohet hetim i pavarur

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Libi shprehu shqetësim për sulmet ndaj anijeve pranë Bengazit dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe transparent.

Ai paralajmëroi se Libia nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë të konflikteve të huaja dhe u bëri thirrje palëve të shmangin përhapjen e informacioneve të paverifikuara.

Qeveria e Libisë lindore, me seli në Bengazi, e cilësoi sulmin si shkelje të sovranitetit të vendit dhe kërcënim për sigurinë detare, duke theksuar se Libia nuk është palë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kreu i kësaj qeverie, Osama Hammad, njoftoi se kishte paraqitur ankesë në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar hetim ndërkombëtar.

Ai kërkoi, gjithashtu, shpjegime nga Ukraina për praninë e mundshme të personelit të saj ushtarak në Libi.

Edhe Qeveria rivale në Tripoli, e njohur ndërkombëtarisht, shprehu shqetësim për përfshirjen e mundshme të porteve dhe objekteve civile libiane në konflikte të jashtme.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Ukrainën dhe Rusinë

Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga viti 2009, e ka mbështetur Ukrainën që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

Tirana e ka dënuar agresionin rus, u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Moskës dhe i ka ofruar Ukrainës mbështetje politike, humanitare dhe ushtarake.

Në shkurt të vitit 2024, Shqipëria ka organizuar Samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, ku ka marrë pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Gjatë vizitës, ai dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, kanë nënshkruar një traktat miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës, ndërkaq, janë përkeqësuar pas pushtimit të Ukrainës.

Në mars të vitit 2022, Rusia e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve që i konsideron “jomiqësore”. /REL

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.