
Shefja e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherësh ushtruese e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të procedohet në Kuvend nisma ligjore për Dhomat e Specializuara.
Pas mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se ekspertët janë duke bërë ndërhyrjet e fundit në draft, ndërsa theksoi rëndësinë që kjo nismë të ketë mbështetje të gjerë politike dhe institucionale.
Sipas saj, nisma tashmë nuk është vetëm e PDK-së, por ka edhe vulën e institucioneve të Kosovës.
Ajo theksoi se PDK-ja do të jetë e hapur për diskutime dhe rekomandime gjatë shqyrtimit të projektligjit në komisionet parlamentare, me synimin që ligji të miratohet sa më shpejt në të dyja leximet.
Çitaku tha se, pavarësisht dallimeve të thella politike me Lëvizjen Vetëvendosje, Ushtria Çlirimtare e Kosovës mbetet vlerë që i bashkon të gjitha subjektet politike.
Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj kësaj nisme ligjore, Çitaku tha se kanë qenë të vetëdijshëm që nga fillimi se ajo nuk do të mirëpritej nga BE-ja.
Ajo kritikoi Bashkimin Evropian për, siç tha, mosgarantimin e një procesi të drejtë dhe të barabartë në Dhomat e Specializuara, duke theksuar se Kosova kishte përmbushur obligimet e saj ndaj partnerëve ndërkombëtarë me themelimin e kësaj gjykate.
Ndryshe, Kryesia e Kuvendit ka kërkuar opinion nga drejtoria ligjore për veprimet e mëtejshme, pas skadimit të afatit katërjavor për procedimin e raportit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi që Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh pasoja në rast të tejkalimit të afatit.