Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sanchez propozon taksë të re për pasuritë mbi 100 milionë euro: Të ardhurat do të financojnë strehimin dhe shërbimet publike

Gazeta10
23 November 2026 - 14:24

Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sanchez, ka propozuar vendosjen e një takse të re për pasuritë që tejkalojnë vlerën e 100 milionë eurove.

Propozimi vjen pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen të dielën, më 29 nëntor, dhe synon të sigurojë financime për kujdesin ndaj fëmijëve, strehimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

“Megjithëse kemi arritur t’i ulim pabarazitë e të ardhurave në nivele historikisht të ulëta, 0.1% e njerëzve më të pasur zotërojnë më shumë se 10% të pasurisë. Pjesa e tyre nuk ka reshtur së rrituri që nga viti 2010”, shkroi Pedro Sanchez në rrjetin social X.

“Ne propozojmë një taksë për pasuritë mbi 100 milionë euro, me qëllim financimin, për shembull, të mbështetjes për edukimin e fëmijëve, strehimin dhe përmirësimin e shërbimeve publike”, shtoi ai.

Propozimi vjen në një kohë kur socialistët e drejtuar nga Sanchez po përpiqen të dallojnë qëndrimet e tyre nga ato të Partisë Konservatore Popullore (PP). Kryeministri e akuzon këtë të fundit se synon të ulë taksat për qytetarët më të pasur.

PP-ja konsiderohet favorite në zgjedhjet parlamentare të së dielës, megjithatë pa siguruar shumicën absolute. Në këtë skenar, partia e ekstremit të djathtë Vox mund të luajë një rol vendimtar në formimin e qeverisë së re.

Politikanë të majtë në Britaninë e Madhe, Francë, Holandë dhe vende të tjera kanë mbështetur forma të ndryshme të taksimit të pasurisë së më të pasurve. Këto propozime synojnë t’i përgjigjen pakënaqësisë së krijuar nga pabarazitë ekonomike, si dhe të mobilizojnë elektoratin e tyre.

Nga ana tjetër, organizatat e punëdhënësve kundërshtojnë përgjithësisht me forcë këto forma taksimi, me argumentin se ato mund t’i nxisin sipërmarrësit që krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në rritjen ekonomike të largohen nga vendi.

Spanja ka tashmë një taksë solidariteti për pasuritë e mëdha, e cila u prezantua në vitin 2022 dhe zbatohet për pasuritë neto që tejkalojnë 3 milionë euro.

Kjo taksë u vendos për të plotësuar taksat rajonale mbi pasurinë dhe për të garantuar që tatimpaguesit më të pasur të kontribuojnë në përpjekjet fiskale të vendit, pavarësisht rajonit ku jetojnë.

Ndërkohë, Partia Popullore (PP) propozon uljen e taksave për qytetarët me të ardhura të mesme dhe të ulëta, si dhe për të rinjtë që janë në marrëdhënie pune. Gjithashtu, partia mbështet ofrimin e lehtësive fiskale dhe përjashtimeve nga taksat për bizneset që investojnë në teknologji dhe transformimin dixhital. /Panorama

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.