
Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimet ndaj N.M. dhe G.P. me burgim të përjetshëm, si dhe dënimin prej 30 vjetësh burgim ndaj K.K., në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë, mbrojtësve të të akuzuarve dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 6 korrikut 2026.
Sipas njoftimit, gjykata ka vlerësuar se faktet janë vërtetuar drejt dhe se dënimet janë në përputhje me ligjin. Si rrethana rënduese janë përmendur planifikimi i vrasjes, motivi i përfitimit material, mosha e re dhe pafuqia e viktimës, si dhe kryerja e veprës në praninë e dy fëmijëve të saj.
Vendimi është i formës së prerë, ndërsa dënimet do të ekzekutohen menjëherë.