Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Ikja e mjekëve dhe papunësia e tyre – ‘përplasin’ Albena Reshitajn me Arben Vitinë

Gazeta10
26 November 2026 - 17:12

Deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka ngritur shqetësimin për emigrimin e mjekëve dhe infermierëve, papunësinë e profesionistëve të rinj shëndetësorë dhe mungesën e kushteve për punësim e zhvillim profesional në Kosovë.

Ajo ka thënë se e ndien obligim profesional, moral dhe institucional që të adresojë shqetësimet e studentëve të mjekësisë dhe mjekëve të rinj, të cilëve iu bashkua në protestën pranë Ministrisë së Shëndetësisë.

“Se puna përsëritet, e që historia jonë na përsëritet duke mos mësuar kurrë nga gabimet dhe pasojat, po shihet edhe sot. Që më duhet edhe mua ta kem mision sikur stërgjyshi im dikur, që të luftoj, që qytetarët tanë të jetojnë Republikën e Kosovës. Dhe kjo, me të vërtetë, është shumë e dhimbshme, por detyrohem ta kem edhe këtë mision, e ndoshta uroj që kjo histori të mos na përsëritet më kurrë. Sot, nga kjo foltore, dua të sjell zërin e studentëve të mjekësisë dhe të mjekëve të rinj, të cilëve iu bashkova në protestë pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Jo vetëm si deputete, por edhe si profesoreshë e tyre, e ndiej obligim profesional, moral, por edhe institucional, që të adresoj shqetësimet e tyre. Janë të rinj që kanë kaluar vite të tëra në studime, punë dhe sakrifica, ndërsa sot, në vend që të jenë pranë pacientëve, detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën e tyre për punë dhe zhvillim profesional”, ka deklaruar Reshitaj.

Reshitaj tha se rreth rreth 650 mjekë kanë emigruar nga Kosova, ndërsa 450 janë të papunë.

Në replikën e tij, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka kundërshtuar kritikat e Reshitajt, duke thënë se punësimi i mjekëve të përgjithshëm është kompetencë e komunave dhe jo e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, Qeveria para disa vitesh ka ndarë edhe 300 numra shtesë për mjekë të përgjithshëm dhe mjekë familjarë nëpër komuna, ndërsa menaxhimi i burimeve njerëzore është në kompetencë të pushtetit lokal.

“Vetë inkuadrimi i deputetes në protestën e studenteve siç tha ajo, vetëm në cilësinë e profesoreshës nuk është, por, është komplet politike, sepse, si ligjvënëse ish dashtë mos me i mashtru të gjithë këta mjek. Ne e dimë se mjeket e përgjithshëm sipas ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës punësohen nga komunat, kjo qeveri para pak vitesh ka ndarë edhe 300 numra shtesë për mjek të përgjithshëm dhe mjek familjar neper komuna, dhe është komplet nën menaxhimin e komunave se si i ndajnë resurset njerëzor dhe çfarë kërkojnë, sepse me ligjin për vetëqeverisjen lokale e kanë këtë kompetencë. E dyta 450 mjek të papunë, po, një pjesë e tyre të sapo diplomuar, dhe siç jeni në dijen tashmë është hapur konkursi për specializim për 353 vende të reja”, tha Vitia.

Ministri Vitia ka theksuar se specializimet duhet të përcaktohen sipas nevojave të sistemit shëndetësor dhe jo vetëm sipas preferencave individuale të kandidatëve.

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.