
Gjykata Speciale thotë se po e përgatit me shpejtësi dhe kujdes versionin e plotë të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan më 16 shtator me nga 13 deri në 25 vjet burgim për krime lufte. Kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith lexoi atë ditë një përmbledhje të aktgjykimit, që u tha se do të publikohej më pas i plotë, pa specifikuar një datë për këtë.
Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle tha në një përgjigje me shkrim se po sigurohen që në aktgjykimin që do të publikohet të ketë “sa më shumë informacion”.
“Versioni publik i redaktuar i aktgjykimit të plotë është duke u përgatitur sa më shpejt, duke u siguruar që sa më shumë informacion të jetë e mundur të bëhet publik, ndërkohë që garantohet mbrojtja e dëshmitarëve dhe viktimave”, tha ai në një përgjigje me shkrim.
Doyle tha se “gjatësia e aktgjykimit dhe hapat relevantë proceduralë mund të ndikojnë në kohën e publikimit”.
Ai tregoi se Trupi Gjykues ka caktuar një afat për palët që t’i paraqesin komentet e tyre lidhur me redaktimet që duhet të bëhen në aktgjykimin e plotë.
“Pas shpalljes së aktgjykimit, Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë, ekipet e Mbrojtjes dhe Mbrojtësin e Viktimave që të paraqesin çdo koment që kanë lidhur me redaktimet e mundshme, brenda afatit të caktuar nga Trupi Gjykues. Mbi këtë bazë, Trupi Gjykues përgatit dhe publikon një version publik të redaktuar. Versioni i plotë publik i redaktuar i aktgjykimit do të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigje.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë në një konferencë për media më 30 shtator se aktgjykimi i plotë ka “mijëra faqe” dhe se “është çështje javësh besoj kur do të dalë”.
Ai po bashkëpunon me Partinë Demokratike të Kosovës, partinë më të madhe opozitare, në një nismë të re për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku paralajmëroi sot se projektligji do të procedohet shumë shpejt për miratim në Kuvend, duke thënë në një konferencë për media se “drafti është gati”.