
Eksperti i ekonomisë, Bashkim Mustafa, ka paralajmëruar për rrezikun e një kolapsi të sistemit energjetik, duke kritikuar mungesën e politikave zhvillimore dhe të strategjive konkrete për fuqizimin e ekonomisë së vendit.
Në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Gazeta” në Kanal 10, Mustafa ka thënë se prej disa vitesh ekonomia po vazhdon me të njëjtën rrjedhë, pa risi dhe pa përpjekje të mjaftueshme për zhvillim.
“Rrjedha është e njëjtë tash e disa vite. Nuk ka asnjë risi, nuk ka përpjekje zhvillimore dhe as politika të duhura që do ta shtynin përpara prodhimin, do t’i përkrahnin bizneset dhe do ta nxisnin zhvillimin ekonomik, uljen e papunësisë dhe të inflacionit”, tha ai.
Ai ka ngritur shqetësime të veçanta për sektorin e energjisë, duke paralajmëruar se vendi po përballet me rrezikun e kolapsit të sistemit energjetik.
“Nuk ka politika të mirëfillta as në sektorin e energjisë, ku jemi përballë rrezikut të një kolapsi total të sistemit. Po ashtu, vendi nuk ka politika që stimulojnë prodhimin vendor dhe masa të mjaftueshme për nxitjen e eksporteve, të cilat do të ndihmonin në ngushtimin e hendekut ndërmjet eksporteve dhe importeve” th ai.
Mustafa ka kritikuar edhe mungesën e masave konkrete për nxitjen e eksporteve, duke vlerësuar se nevojiten politika që do të ndihmonin në zvogëlimin e hendekut ndërmjet eksporteve dhe importeve.
Sipas tij, në mungesë të politikave të mirëfillta ekonomike dhe strategjive për zhvillimin e prodhimit vendor, nuk ka arsye të pritet një zhvillim i hovshëm ekonomik.