
Serbët e Kosovës pritet të kenë një parti të re politike, e cila sipas burimeve, do të jetë e lidhur drejtpërdrejt me Listën Studentore të Serbisë dhe do të ketë mbështetjen e saj.
Burime të Kanal 10 bëjnë të ditur se të shtunën, në Beograd, pritet të mbahet takimi formal ndërmjet grupit nismëtar për themelimin e kësaj partie dhe përfaqësuesve të pleniumit të Listës Studentore.
Partia e re e serbëve të Kosovës pritet të jetë pandan direkt ndaj Listës Serbe në Kosovë, e cila aktualisht ka 9 deputetë në Kuvend dhe udhëheqë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Televizioni i gazetarëve ka mësuar ekskluzivisht edhe organogramin e ri të partisë së re të serbëve në Kosovë.
Partisë pritet t’i prijë politikani nga veriu i Kosovës Milija Bishevac, si kryetar i subjektit politik.
Bishevac është njohur si kundërshtar direkt i Listës Serbe dhe i politikave të Aleksandar Vucicit në Kosovë. Paraqitjen e vetme publike para mediave në Kosovë, Bishevac e kishte pasur në organizimin e përbashkët të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe të televizionit Kanalit 10 në Prishtinë, në kuadër të përcjelljes së zgjedhjeve amerikane në Kosovë kur Donald Trump fitoi mandatin e dytë si President i shtetit.
Zëvendës i Bishevac pritet të jetë Momcilo Trajkoviq, politikani veteran dhe njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, para dhe pas luftës. Trajkoviq, një jurist i njohur për komunitetin serb në Kosovë, po ashtu ka qenë oponent i zëshëm i regjimit të Vucicit dhe Listës Serbe.
Burime të Kanal 10 marrin vesh se zëvendës kryetar priitet të emërohet edhe Marko Jakshiq, ish drejtori i spitalit të Mitrovicës së Veriut dhe ish deputeti në Parlamentin e Serbisë.
Në këshilin nismëtar të partisë së re të serbëve pritet të rikthehet edhe Sllavisha Ristiq, ish kryetari i Zubin Potokut, i cili për publikun e Kosovës njihet për shkak të kundështimit të policisë speciale kosovare, në kohën e operacionit policor të 25 korrikut të vitit 2011, kur autoritetet kosovare morrën nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31 në Bërnjak dhe Jarinje.
Në kuadër të këshillit nismëtar pritet të angazhohet edhe Marko Jakshiq i riu. Politikani nga veriu i Kosovës me profesion të juristit kishte qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Oliver Ivanoviqit, i cili në rrethana ende të pasqaruara u vra disa vite më parë në Mitrovicë të Veriut.
Burime të televizionit bëjnë të ditur se nuk është vendosur ende se cfarë emri pritet të ketë partia e re e serbëve.
Sipas informacioneve fillestare, nuk përjashtohet mundësia që partia e re, e cila gëzon mbështetjen nga pushtetarët e ri në Beograd mund ta ketë emrin e njejtë, Lista Studentore.
Ende nuk dihet se cfarë ndryshimi dhe cfarë politikash do të drejtojë subjekti i ri politik i serbëve për sa i takon Kosovës.
Por, ajo që dihet publikisht është se Lista Studentore në disa raste dhe me disa përfaqësues ka shfaqur qëndrime rigjide dhe kundërshtuese rreth pavarësisë së Kosovës.
Pushtetarët e ri të Serbisë në të gjitha rastet i janë referuar Kosovës si pjesë e Serbisë, duke u mbështetur Kushtetutës serbe, e cila vazhdon ta ketë Kosovën si pjesë të saj.
Madje pushtetarët e ri të Serbisë së fundmi kanë bërë thirrje për rishikimin e marrëveshjeve të Brukselit, të arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur direkt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lajmi i plotë me poshtë: