
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me të parën e vendit, Vjosa Osmanin, është takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Pas këtij takimi të zhvilluar në Paris, Kurti përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, ka thënë mes diskutimeve, kanë treguar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, transmeton Gazeta10.
“Në takimin e përbashkët me Presidenten Osmani, biseduam për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dialogun për marrëveshje Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit. Potencuam se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, ka shkruar fillimisht ai.
Më tej, Kurti ka thënë se Kosova është partnere e besueshme e Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik.
“Falënderuam Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e procesit të dialogut dhe ritheksuam përkushtimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë proces, të bazuar në ruajtjen e rendit kushtetues, sovranitetit, integritetit territorial e marrëdhënieve të mira fqinjësore.”, ka shkruar ai./Gazeta10