Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Drejtësia pa oksigjen

Gazeta10
15 November 2022 - 19:06

Raporti: Saranda Aliu /Kanal10

Punëtorët e Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të cilët gjenden në Pallatin e Drejtësisë kanë thënë se nuk do ta përjashtojnë mundësinë e bojkotimit të punës, në rast se deri në fund të dhjetorit nuk do të hapen dritaret. Ata kanë thënë se punëtorët po vazhdojnë të kenë probleme shëndetësore, ndërsa nuk po pranohen rastet e kallëzimeve penale. Nga kompania e angazhuar për këtë punë kanë thënë se më 1 dhjetor do t’i hapin dritaret në objektin A, për të vazhduar me objektin C në fillim të vitit 2023, shkruan Kanal10.

Fundi i dhjetorit, është paralajmëruar të jetë afati i fundit për të rregulluar oksigjenin në Pallatin e Drejtësisë.

Në të kundërtën, punëtorët në këtë institucion nuk e kanë përjashtuar mundësinë e bojkotimit të punës, si pasojë e mungesës së ajrit në objekt.

Për këtë arsye, tash e katër javë, Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke punuar me staf të reduktuar, për shkak se disa prokurorë e punëtorë të tjerë ishin alivanosur.

Kjo ka bërë që shumë raste të mbesin pa u trajtuar nga ky institucion.

Në Gjykatën Themelore, që gjendet në po të njëjtin objekt po punohet me kapacitete të plota, edhe pse problemet i kanë të njëjta.

Përfaqësuesit e punëtorëve të këtij institucioni kanë thënë se nëse deri në fund të dhjetorit nuk hapen dritaret, atëherë do të shqyrtohet bojkoti i punës.

Kanal10 ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila menaxhon me Pallatin e Drejtësisë, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, televizioni ka kontaktuar me kompaninë “A&O”, që është kontraktuar për të hapur dritaret e objekteve përcjellëse.

Në një përgjigje për Kanal10, Armend Osmanaj nga kjo kompani, ka thënë se tashmë ka ardhur materiali që shërben për kryerjen e punimeve.

Sipas tij, nga 1 dhjetori do të fillojnë t’i hapen dritaret në objektin A, ndërsa do të vazhdojnë me objektin C nga në fillim të vitit 2023.

Për situatën e krijuar në Pallatin e Drejtësisë, si pasojë e mungesës së oksigjenit, disa herë ishin organizuar edhe protesta, si dhe kishte pasur reagime nga Këshilli Prokurorial dhe Gjyqësor i Kosovës, por që problemet për vite me radhë, kanë vazhduar të jenë të njëjta.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.