
Këshilli i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Prishtinës me anë të një deklarate kanë dënuar ashpër veprimet e fundit të aktivistëve të organizatës ORCA, raporton Gazeta10.
Këshilli ka cilësuar këtë rast si tentim intimidimi të studentëve të pranishëm në ligjerat si dhe cënim të privatësisë së studentëve dhe profesorit Bujar Dugolli përmes xhirimit të videos paautorizim.
“Këshilli i Fakultetit Filozofik dënon fuqishëm veprimet e aktivistëve të organizatës ORCA, të cilët në datën 14 nëntor 2022, prishën ligjëratën e Profesor Bujar Dugollit në auditorin # 105 të Fakultetin Filozofik. Me këtë rast, dënon të gjitha sjelljet me të cilat aktivistët e lartëcekur prishën ligjëratën, duke intimiduar studentët e pranishëm, duke cënuar privatësinë e studentëve dhe profesorit në fjalë përmes xhirimit videor të paautorizuar dhe ekspozimit publik të studentëve dhe profesorit në situata të sikletshme dhe jonormale, si dhe duke thirrur dhe nxitur hapur studentët e pranishëm, që t’i kundërvihen profesorit të tyre.”, thuhet në deklaratë.
Tutje ata janë shprehur të shqetësuar me gjuhën kërcënuese të drejtuar publikisht ndaj universitetit.
“Këshilli i Fakulteti Filozofik është i shqetësuar me këto ngjarje dhe me gjuhën kërcënuese të drejtuar publikisht në mënyrë të përsëritur universitetit. Rrjedhimisht, presim me besim të plotë, që Universiteti i Prishtinës dhe organet e rendit t’i marrin seriozisht këto veprime, të cilat duhet të adresohen sipas ligjeve në fuqi.”, u tha në deklaratë./Gazeta10.